Masat qeveritare për shtimin e malazezëve në Ulqin

0

Pa hyrë mirë në Ulqin, duke ditur se kishte zaptuar një tokë arbërore, popullata e së cilës nuk fliste asnjë fjalë sllavisht, Princi i Malit të Zi i kishte vënë vetes dhe qeverisë së tij një obligim: të malazezojë Ulqinin sa më parë

(vijon nga numri i kaluar)
Në vitin 1889, pothuajse në të gjitha viset e Malit të Zi ishte paraqitur sëmundja e etheve, madje edhe në viset malore si në Andrijevicë, Kuç, Piper, Ostrog, Nikshiq. Natyrisht kjo sëmundje e rëndë ishte paraqitur edhe në Ulqin.
Në muajin korrik të këtij viti, në Ulqin, për shkak të përmasave të mëdha të sëmundjes së përmendur, u organizua hapja e një spitali. Në lidhje me këtë Guvernatori i Ulqinit, Simo Popoviqi, më 1 gusht 1889, në mënyrë telegrafike njoftoi Cetinën. Në njoftim thuhej: “I kam regjistruar të gjithë të sëmurit. Përveç atyre që janë të sëmurë por ngrihen, 140 janë shumë të sëmurë dhe nuk ngrihen. Nga këta, deri më tani 36 janë vendosur në spital, prej të cilëve 4 kanë ethet tifoide, ndërsa të tjerët malarien e rrezikshme. Nga numri i madh do të jam i detyruar të marr edhe një shtëpi për spital.“
Është vërejtur se numri më i madh i të sëmurëve janë ardhacakët e varfër të cilët punojnë tokat e marra në Fushën e Ulqinit përreth Baltës së Zogajve, e shumica e tyre jetonin në varosh, kishte shkruar Dr. Petar Milaniqi në revistën “Grlica” të vitit 1890. Po në të njëjtin artikull, ai kishte cekur se sa i përket varoshit, i ndarë nga fusha me kodrina, është i shëndetshëm si për nga pozita ashtu edhe sipas evidentimeve. Ai (Ulqini) është një banjë detare e mrekullueshme në duart e serbëve. Shumë shkodranë të pasur verojnë këtu, për t’u freskuar me ajrin e detit dhe banjot.
Se Ulqini dhe Fusha e Ulqinit ishin të shëndetshëm, e vërteton edhe inxhinieri i njohur Hilingeri, i cili në një promemorie të tij kishte theksuar se Fusha e Ulqinit, sipas thënieve të banorëve të atyshëm, kishte qenë shumë e mirë, bahçe e vërtetë, çka na shtyn të mendojmë se para hapjes së kanalit nga Zogajt deri në bregdetin e Ulqinit, këtu nuk kishte pasur sëmundje që kushtëzohen nga moçalet dhe barushtinat e ndryshme nëpër fusha, siç është malaria apo ethet. Ai po ashtu theksonte se lumi Buna edhe pesë shekuj më parë ka qenë i lundrueshëm, çka do thotë se rrjedhja e tij ka qenë e rregullt dhe përmbytjet (e Fushës së Ulqinit) kanë qenë të rralla.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “794” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply