Vendimet arbitrare të Fuqive të Mëdha

0

Të dhënat e prezentuara nga S.Gopçeviqi, dëshmojnë të dhëna autentike sepse ai ishte dëshmitar okular i ngjarjeve të zhvilluara rreth Tivarit, dhe në regjionin bregdetar

Dr. Nail Draga

Dekompozimi territorial sipas Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit
Në saje të marrëveshjeve paraprake, Paqja e Shën Stefanit në mes Rusisë dhe Perandorisë Osmane u nënshkrua më 3 mars 1878. Rusia bëri çmos dhe mbështeti aleatët ballkanikë, duke i siguruar Malit të Zi zgjerim territorial, dalje në det duke legjitimuar aneksimin e territoreve shqiptare.
Por, Anglia dhe Austro-Hungaria me kohë e kishin sinjalizuar Rusinë se nuk do të pranonin kurrfarë paqeje që nuk do të ishte në përputhje me interesat e tyre. Me një fjalë kemi të bëjmë me një Traktat politik sipas interesave sllave të udhëhequr nga Rusia për dominimin e saj gjeopolitik në Europën Juglindore. Kështu në Shën Stefan u muar vendim që pjesë të mëdha të hapësirës etnogjeografike shqiptare t’i jepeshin Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë.
Kështu Malit të Zi i jepeshin Ulqini, Tivari, Kraja, Ana e Malit, Hoti, Gruda, Kelmendi, Vermoshi, Plava, Gucia, Rugova etj.(neni 1). Menjëherë u vendos për formimin e Komisionit përkatës për caktimin e vijës kufitare në mes Malit të Zi dhe Turqisë. Por, duhet theksuar se deri në Kongresin e Berlinit, mbi kufijtë në mes Malit të Zi dhe Turqisë në anën e Shqipërisë nuk është arritur marrëveshje e detajuar dhe globale.
Traktati i Shën Stefanit ishte vepër e Rusisë dhe aleatëve të saj ballkanikë, dhe si i tillë ishte akt ndërkombëtar që konfrontoi interesat e Fuqive të Mëdha dhe shënoi fillimin e copëzimit të trevave shqiptare në dobi të monarkive ballkanike. Ishte pikërisht ky traktat i cili u bë shkak përçarjesh e grindjesh të thella e të zgjatura midis popujve të Ballkanit, u bë nxitje për luftëra të reja e më të tmerrshme. Nga ky Traktat doli qartë se Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje të ruante tërësinë e saj tokësore në Gadishullin Ballkanik, por për më tepër, do t’ i detyronte shqiptarët të paguanin me tokat e tyre për disfatën që ajo kishte pësuar. Me një fjalë, Traktati i Shën Stefanit nxori në shesh tërë politikën grabitqare, rrezikun e madh të copëzimit të tokave shqiptare si dhe interesat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha në Europën Juglindore.
Por, vendimet e Shën Stefanit mbetën vetëm në letër, sepse me një projekt të tillë nuk u pajtuan Fuqitë e Mëdha evropiane, rivale të Rusisë, të cilat nuk mund ta lejonin dominimin e Rusisë në Ballkan. Ato kërkuan që të rishqyrtoheshin të gjitha hollësitë e Paqes së Shën Stefanit.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “786” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply