Babai i Albanologjisë në Kosovë

0

Sabri Hamiti

Të mërkurën, më 13 shkurt 2019, u nda nga jeta Idriz Ajeti, babai i albanologjisë në Kosovë. Nderimi dhe kujtimi për të do të jenë të përhershëm sa të jetë shqipja.
Atta (rrënjë e moçme indoevropiane) bashkon kuptimisht të dy gjinitë për të treguar amësinë dhe atësinë. Idriz Ajeti e kishte amë shqipen e atë atdheun. Vetë u bë babai i albanologjisë në Kosovë. Shëmbëlltyrë e studiuesit të historisë së shqipes dhe protagonist i shkëlqyeshëm i botës kombëtare në Kosovën moderne.
Një nga studiuesit më të mëdhenj të historisë së gjuhës shqipe, që studimet e veta i botoi në një seri monografish shkencore, të paraqitura edhe në nivel të librave universitarë e shkollorë, për t’i përhapur si ide e si rezultate për brezat e rinj.
Me statusin e fituar të Kreut të studimeve shqiptare te ne, ai doli përherë në krye. Ligjëroi në katedrën e albanologjisë në Beograd, themeloi katedrën e albanologjisë në Prishtinë, ku ligjëroi dhe u bë kreu i saj. U bë dekan i Fakultetit të Filozofisë në Prishtinë, rektor i Universitetit të Prishtinës, punonjës shkencor dhe drejtor i Institutit Albanologjik, themelues dhe drejtor i Seminarit për Gjuhë, Letërsi e Kulturë Shqiptare. Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i kësaj Akademie.
Punonjës i palodhur për standardizimin e shqipes. Drejtoi Konsultën Gjuhësore në Prishtinë dhe ishte njëri nga protagonistët e Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “852” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply