Burri që na la trashëgim dashurinë njerëzore dhe atdhetare

0

U mundua që gjatë gjithë jetës të bëjë vetëm punë të mira. Si i tillë mbeti në kujtesë të kolegëve, të shokëve dhe miqve. Motoja e tij e jetës ka qenë puna me ndershmëri në të mirë të gjithë komunitetit pa dallim

Me shkuarjen e tij në amshim të Palokë Pjeter Shkrelit humbëm njeriun e ndershëm, fisnik, besnik, bamirës dhe atdhetar. Lindi në vitin 1929 në Shtoj të Ulqinit. U rrit, hodhi shtat dhe u formua në një familje bujare të ardhur nga Shkreli i Malësisë së Madhe dhe u mesua që të donte vendin e tij dhe njerëzit. Jeta e tij e fëmijërisë ka qenë mjaft e hidhur dhe e vështirë, sikurse e të gjithë bashkëmoshatarëve të tij. Jetoi me hallet dhe shqetësimet që kishte sjellë Lufta e Dytë Botërore. Gjatë jetës kaloi shumë sfida. U përballua me çaste të vështira në kohë shumë të liga . Por, nuk u gjunjëzua. Ai jetën e kishte nder, nderin – punë, kurse virtyti kryesor që e dalloi ishte siç e thoshte vetë – njerëzia. I rritur dhe i edukuar në një familje me tradita, kur e mori veten materialisht, nuk ka lënë pa ndihmuar asnjë njeri në nevojë. Plot 30 vite ushtroi detyrën e sekretarit në Shkollën Fillore “ Mark Nucullaj” në Shtoj, ku edhe u pensionua.
U mundua që gjatë gjithë jetës të bëjë vetëm punë të mira. Si i tillë mbeti në kujtesë të kolegëve, të shokëve dhe miqve. Motoja e tij e jetës ka qenë puna me ndershmëri në të mirë të gjithë komunitetit pa dallim. Ishte burrëror. Serioz. I thjeshtë. Me një karakter të spikatur. Një guximtar i qetë, sa i vuri te gjithë ne “gjumë” e nuk arritën ta kuptonin heshtjen e tij. Shume i dashur me ata që e deshën. Edhe me mua! Një shembëllim i shpirtit fisnik. Atdhetar me ndjenja të kulluara. Ai e donte popullin e tij, jo sa për forme, modë apo përfitim material, por me pasion të kultivuar atdhedashurie. Pra ishte vetvetja. Por kishte respekt edhe për popujt e tjerë. Ishte nga ata njerëz që nuk njihte gënjeshtrën, servilizmin, nënshtrimin dhe këto veti i përcolli edhe tek brezi i ri. Nuk fliste shumë. Por kur fliste fjalët e tij kishin peshë. Të gjithë e respektonin, e çmonin dhe e vlerësonin për karakterin e tij të rrallë dhe të fortë burrëror.
Ky njeri i mirë ishte halë në sy për pushtetin komunist. Pa asnjë faj burgoset në Ulqin me rastin e vizitës së parë që i beri Josip Broz Tito këtij qyteti, me pretekst si njeri i rrezikshëm për jetën e mareshalit te atëhershëm të Jugosllavisë. Ai më vonë dënohet me nëntë muaj burg, të cilin e vuajti me qëndresë e dinjitet në Tivar. Megjithatë nuk arritën ta zbejnë e jo më ta thyejnë karakterin e tij të fortë njerëzor dhe idealet e tij të pastra kombëtare. Dashuria e tij për kombin e vet, krenaria e të qenurit shqiptar, idealet më të larta të njerëzimit, burrëria, besa, fisnikëria, bujaria, mikpritja, e drejta dhe e vërteta, ishin pjesë të pandara të jetës së tij.
Përpjekjet dhe guximi i tij që të mos mbyllet mësimi në gjuhën shqipe në shkollën ku ka punuar është faqe e ndritur dhe e lavdishme atdhedashurie e arsimit tonë kombëtar. Ai këtë mision të shenjtë e mori për shkak se nuk mund të pajtohej assesi që nxënësit shqiptarë të privoheshin nga qeveria jugosllave që të ndjekin mësimin fillor në gjuhën e tyre amtare.
Ajo çka nuk duhet harruar kur flitet për Palokë Shkrelin është gjithashtu kontributi që ai bëri në mbrojtje të simboleve kombëtare. I pari ne vendlindjen e tij mori guximin që më 11 nëntor të vitit 1968 në dasmën e tij të përdorë flamurin kombëtar, i cili për te ishte dëshmi e besnikërisë ndaj mëmëdheut dhe ndaj kombit. Po ashtu pa frikë u rreshtua në mesin e atyre burrave atdhetare te Ulqinit qe e ngritën dhe natën e ruajtën flamurin tonë të shenjte nga pushtetarët e kohës.
Lavdi jetës dhe veprës së tij njerëzore!
Gjeke Gjonaj

Share.

Leave A Reply