Folëse që pushtoi zemrat e dëgjuesve

0

Kohë më parë u nda nga jeta Olivera Petroviq, e cila për më tepër se tri dekada të plota ishte e punësuar në radio Titograd, më vonë Radioja e Malit të Zi, në redaksinë në gjuhën shqipe. Ajo, me zërin e saj të butë dhe të dashur gjithë këtyre viteve si folëse në realizimin e emisioneve të përditshme të kësaj redaksie, kishte pushtuar zemrat e dëgjuesve të cilët me padurim prisnin të dëgjojnë zërin e saj. Ndërkohë, Olivera ishte mësuese e mirë për gjenerata të shumta që kanë kaluar nëpër këtë redaksi, në radhë të parë për të respektuar dëgjuesit dhe mënyrën e komunikimit me ta përmes mikrofonit. Pavarësisht kohës që kolegët kanë bashkëpunuar me të, ajo mbetet e paharruar me sjelljen dhe respektin e saj, sidomos për kolegët e rinj për të cilët këshillat dhe përvoja e saj ishin të mirëseardhura. Në ditën e varrimit të saj, drejtori i Radios së Malit të Zi, Radojica Bullatoviq, në fjalën e tij lamtumirëse, duke vlerësuar lartë këtë figurë të gazetarisë shqiptare në Mal të Zi, mes tjerash tha :” U largua Olivera D. Petroviq duke mbyllur sytë në qetësi e ,po ashtu, edhe faqet e jetës, njëra nga fytyrat më markante të fjalës publike – spikerja e radio Titogradit dhe Radios së Malit të Zi, në programin në gjuhën shqipe. Rininë e hershme, Olivera e kaloi në Shqipëri, ku edhe është shkolluar. Me ardhjen e saj në Titograd, ajo ishte spikerja e parë në gjuhën shqipe duke shprehur nivel të lartë të kulturës së të shprehurit, arsimimit dhe të gjuhës. Me krenari rikujtojmë 25 majin e vitit 1965, kur Radio Titogradi filloi emetimin e programit në gjuhën shqipe. Kolegia Olivera iu bashkëngjit emrave të mëdhenj, gazetarëve të mirënjohur, publicistëve dhe profesorëve ,që nga fillimi, duke bashkëpunuar me Gjergj Gjokaj, Mirash Gojçaj, Fran Camaj… gjithnjë deri te gjenerata e tashme e mrekullueshme e gazetarëve tanë: Gjoka, Violeta, Senadi, Marashi, Dijella dhe Pjetri. Andaj edhe në emër të tyre, jemi mirënjohës që e patëm kolegen Olivera, e cila edhe pas vajtjes në pensionin e merituar, na vizitonte dhe na përkujtonte në atë që është konstanta më e vlefshme, njerëzorja- para së gjithash, në të mirë dhe në të keqe. Ajo ishte kolege, mësuese, shoqe dhe idol, si në familjen Petroviq, ashtu edhe në Radion e vet”, tha mes tjerash drejori, R. Bullatoviq.
Shkuarja e sajë në amshim nuk mund të shlyejë gjurmën e thellë që ka lënë pas me zërin e saj të dashur dhe po aq me kujtimet e bukura që do ta ruajnë përjetësisht nga harresa, jo vetëm për kolegët me të cilët bashkëpunoi vite dhe dekada me radhë, por edhe për dëgjuesit e gjeneratave të ndryshme të emisioneve në gjuhën shqipe.

Gjokë Dukaj

Share.

Leave A Reply