Gjokaj la pas vetes mbi 3 mijë vepra artistike

0

Tuz- Shoqata “Ilyricum” nga Malësia, në bashkëpunim me të gjjtha shoqatat Kulturore-Artistike të Malësisë dhe me QKI “Malësia”, ka organizuar orë përkujtimore me rastin e vdekjes së piktorit të madh me famë gjithëkombëtare dhe më gjerë, maestro Gjelosh Gjokaj.
Ora përkujtimore ka filluar me një minutë heshtje në shenjë respekti dhe nderimi ndaj të ndjerit Gjelosh Gjokaj në prani të familjarëve, miqve dhe të një numri të madh të personaliteteve të shquara të artit, shkencës, kulturës e të fushave të tjera nga vendi, Shqipëria dhe Kosova.
Në emër të organizatorit të kësaj ore përkujtimore ka folur kryetari i shoqatës “Ilyricum” Nikollë Berishaj, i cili ka shpalosur një kronologji të veprimtarisë dhe kreativitetit artistik mbi gjysmëshekullor të piktorit eminent Gjelosh Gjokaj.
“Shpirti jo i qetë i artistit në këtë rrugëtim kreativ më se 60 vjeçar e kërkoi mënyrën e shprehjes së tij duke mos u kënaqur askurrë me të arriturat dhe pikërisht ky kreativitet i bën dhe kritikët e artit të merren me thellësinë e arritjeve më të larta të artit të tij. Piktura e Gjeloshit nuk ka kohë as hapësirë të caktuar. Ajo ka ndodhur, po ndodh dhe do të ndodhë në të ardhmën. Pikërisht kjo gjerësi në kohë e hapësirë e bën Gjeloshin të kapshëm për çdokënd. Temat e mërgimit dhe egzodit, ndonëse i ndjemë shumë thellë në skutat e shpirtit shqiptarë, janë universale. Treshi intelektual shqiptar në Romë: Ernest Koliqi, Martin Camaj dhe Gjelosh Gjokaj ishin prezantimi më i mirë që mund t’i bëhej shqiptarizmit të asaj kohe”, u shpreh mes tjerash Berishaj.
Ai më tej theksoi se ciklet dhe tërësitë e veçanta artistike mundohen ta radhisin piktorin në stile të caktuara astistike që nga simbolizmi sintetik përmes metafizikës, ciklet e pikturave ditari nga Roma e deri tek pikturat abstrakte të lojës me ngjyra, për t’iu kthyer diku kah fundi i jetës së tij, formës së avancuar e të stilizuar.
“Gjatë jetës së tij të plleshme krijuese në Romë në vitet 1969-1983, Gjeloshi u ballafaqua me piktorët më të mirë të kohës. Kur fliste për ta, ai fliste sikur t’i kishte të afërm. Pikasoja në rrëfimet e Gjeloshit dukej aq i natyrshëm saqë dukej që po e dëgjon vetë atë. Takimet e tij me artistë të tjerë si Sallvador Dali, Franko Gjentelini e Renato Kutuzon duken krejtësisht të natyrshme si takim i të madhit me të mëdhenjtë, ndërsa kujtimet për Ibrahim Kodrën, Musli Mulliqin e piktorët e tjerë shqiptarë, tregojnë sfidat e tyre për avancimin e artit pamor, ndër shqiptarët”, tha ndër të tjera Berishaj.
Ndërkaq, në emër të familjarëve të piktorit Gjelosh Gjokaj, ka folur Idriz Gjokaj i cili ka falënderuar përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit të cilët iu gjetur pranë familjes Gjokaj dhe vëllazërisë së Gjekajve si dhe të gjithë atyre që e kanë përkujtuar figurën e Gjeloshit, duke filluar nga organizimi i orës përkujtimore nga shoqata SHAI “Art Club” në Ulqin, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe në fund shoqatave Kulturore-Artistike në krye me shoqatën Ilyricum.
“Gjelosh Gjokaj u përjetësua në historinë mbarëshqiptare, të Ballkanit e Evropës, e sidomos në historinë e botës së artit së bashku me Mikel Angjelon e mesjetës dhe Rafaelon e Iluminizmit. Unë po shpreh indinjatën time të thellë për vesin tonë të keq që njerëzve të mëdhenj sikur Gjelosh Gjokaj, u njohim vlerat vetëm atëherë kur nuk ndodhen më në mesin tonë. Faleminderit maestro që i dhe emër Mileshit si në kohët e hershme e që nesër varri yt, shtëpia dhe ateleja jote ku ke punuar me ato duar të arta, do të bëhet pelegrinazh”, tha Idriz Gjokaj.
Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 në fshatin Milesh të Malësisë. Shkollën e mesme të artit e kreu në Pejë, studioi në Akademinë e Arteve në Beograd ku dhe u diplomua në vitin 1963. Një vit më pas, ai themelon degën e grafikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës kurse nga viti 1969 deri më 1983 punoi dhe jetoi në Romë. Nga viti 1983 jetoi në Augsburg në Gjermani dhe vitet e fundit të jetës i kthehet vendlindjes së tij, Mileshit që kishte lënë vulë aq të madhe në të. Ka qenë anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve i Duklës. Gjokaj ishte fitues i Çmimit “Urdhri i Naimit të Artë” i akorduar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, fitues i Çmimit “13 Korriku” i Malit të Zi, anëtar nderi dhe laureat i çmimit Tradicional të “Art Club”-it por edhe i shumë çmimeve prestigjioze artistike të Italisë, Gjermanisë e gjetiu. Gjelosh Gjokaj la pas vetes si trashëgimi kulturore mbi 3 mijë vepra të çmuara artistike.

t. u.

Share.

Leave A Reply