Lirik me imagjinatë

0

Liriku me imagjinatë që nuk mund të harrojë, i preokupuar me dhunën e së tashmes, Gjelosh Gjokaj i udhëheq personazhet e veta nëpër tokën e Mediteranit, me ngjyrë të kaltër të plumbtë, të spërkatur me hi, personazhet e plagosura dhe të shkatërruara nga dhimbja, që e kanë paguar humanitetin e vet me flijimin e rëndë njerëzor

darioDario Micacchi

Piktori i të tashmes teknologjike, të cilin e ndjejmë si pjesë të së kaluarës, nëpër të cilën lëviz roboti, të ndjeshëm si djaloshin në opinga, nga gjymtyrët (sytë) e të cilit mbijnë rrënjët, ndërsa nga artileria pikon gjaku. Piktor i shpërnguljeve të dikurshme dhe të ardhshme. Vizatimi, ngjyra dhe forma për një pikturë të guruar, të metalizuar, koha e të cilës përhapet në pakufi, si në ëndrrat më të mundimshme. Figurat e imagjinuara mbijnë nga thellësia e historisë së “egos” së njeriut, nga thellësia e njeriut dhe e djaloshit dhe shpërthejnë si klithje, si kushtrim, duke u humbur në një largësi të ngrirë të qiellit të qelqtë, të kaltër në të gjelbër, e duke mbjell pas vetes objekte të kujtesës, duke zbuluar koka të shtypura dhe fotografi të djemve dhe të çifteve të reja. Dimensioni figurativ i së tashmes është i preokupuar me të kaluarën, me fshatin shqiptar dhe jugosllav, me fëmijërinë dhe me luftën kundër nazizmit. Kujtesa hyn në dimensionin e së tashmes. Secili personazh paraqet një unitet të së tashmes dhe të kujtimeve. Historia nuk rrëfehet dhe as nuk paraqitet, por ndihet e gjallë si pjesë e pandashme e autobiografisë. Nuk flitet për vitet e kaluara, por personazhet ikoniste dëshirojnë ta paraqesin ringjalljen dhe kryqëzimin nga freskat e ikonave serbe, malazeze dhe maqedonase. Uniteti i të tashmes dhe kujtesës, si në vizatim, ashtu edhe në grafikë bëhet një kompozicion specifik, të cilin e krijojnë copëzat e materies, duke lënë ndjenjën e grafitit, pëlhurës, metalit, materialeve më të ndryshme që ngjallen nën dorën e piktorit. Shpesh këto janë ngjitje në hirin e jetës, të cilat e fitojnë në letër shkëlqimin e arit të vjetër, gjë që herë-herë i mbulon fytyrat dhe lëvizjet e durueshme të ikonave të kahershme, pjesët e arta dhe të argjendta të së cilave kanë qenë të zbukuruara me gurë të çmuar. Ikona për Gjelosh Gjokajn nuk është as revival, as kiç. Është shprehje obsesive e historisë së gjeneratave dhe gjeneratave që duhet të shprehë një fytyrë në një kohë. Piktura e tij është përplot me fytyra, me koka, këmbët e të cilave janë të prera dhe prej lotëve të shkatërrimit të së cilave me prekjen e dorës së piktorit, prekje pozitive dhe poetike, dëshirojnë të nxjerrin atë që lind dhe që mbin, në mënyrë që prej një rrethi të mbyllur, të mundimshëm, të krijohet një hapësirë në të cilën disa njerëz sërish do të mund të tentojnë të jetojnë. Para figurës njerëzore zbulon çuditjen e vet, si para ndonjë skulpture antike të rrëmihur nga dheu apo të nxjerrë nga uji. Secila figurë sërish e fiton formën e vet si nga ndonjë seksion anatomik, apo si te kompozimi i copëzave të një sendi të thyer.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “733” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply