Profesori model dhe studiuesi serioz

0

Ulqin – Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” organizoi të dielën në sallën e Kuvendit të Komunës së Ulqinit Orë përkujtimore me rastin e vdekjes së pedagogut dhe historianit Riza Rexha, i cili vdiq të shtunën në moshën 81-vjeçare.
Ora përkujtimore filloi me një minutë heshtjeje në shenjë nderimi për këtë personalitet të shquar të arsimit, shkencës shqiptare në Mal të Zi dhe të historiografisë shqiptare në përgjithësi.
Në fjalën e rastit, dr. Nail Draga ka thënë se mr. Riza Rexha ishte pedagog dhe studiues i nderuar në përmasa kombëtare.
Ai ka thënë se “kudo që punoi, u dallua me punën pedagogjiko-arsimore, duke qenë shembull edhe për kolegët e tjerë, duke fituar autoritet të madh. Ka mbetur në kujtesë të shumë gjeneratave si profesori model për ata nxënës që patën fat ta kenë pedagog të tyre”.
Sipas Dragës, me vdekjen e tij “familja humbi personin e dashur, ndërsa shoqëria dhe kultura shqiptare personin e nderuar”.
Ai ka përmendur kontributet e shumta të mr. Riza Rexhës, si në fushën e arsimit shqip, ndriçimit të historisë së Ulqinit dhe të shqiptarëve në Mal të Zi etj.
Sipas tij, një meritë dhe kontribut të veçantë, mr. Riza Rexha ka në organizimin e veprimtarive të ndryshme kulturore dhe shkencore në kuadër të SHAI “Art Club”, duke qenë kryetar i Këshillit Organizativ të Sesionit shkencor “’Meshari’ i Gjon Buzukut – monument i kulturës shqiptare (1555-1995)” në vitin 1995, veprimtarinë përkujtimore kushtuar Jenuz Divanit me rastin e 50-vjetorit të ardhjes së tij në Anë të Malit, më 12 shtator 1997, Takimin përkujtimor kushtuar imzot Simon Filipajt me rastin e 75 vjetorit të lindjes në vitin 2000, Sesionin shkencor ”Ulqini në rrjedhat e kohës”, po në vitin 2000, Sesionin shkencor “Ymer Prizreni – personalitet i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare” në vitin 2002.
Draga ka theksuar se duke vlerësuar lart punën edukativo-arsimore dhe hulumtuese, Kuvendi i Komunës së Ulqinit i ka ndarë mr. Riza Rexhës dekoratën “Mirënjohja e Ulqinit” më 17 dhjetor 2014, me motivacionin “Për kontribut në fushën e arsimit, hulumtimin dhe botimeve shkencore nga historia kombëtare shqiptare”.
Në emër të familjarëve të mr. Riza Rexha, të pranishmit në orën përkujtimore i ka përshëndetur nipi i tij, Ali Rexha, i cili i ka falënderuar ata për pjesëmarrjen dhe nderimin që i kanë bërë axhës së tij, për të cilin ai ka thënë e ka pasur edhe baba.
Mr. Riza Rexha u lind më 7 shkurt 1935 në fshatin Kllezën të Anës së Malit (Ulqin). Shkollën fillore shtatëvjeçare e ka kryer në Katërkollë në vitin 1951. Në shkollën normale u regjistrua në shtator të atij viti në Gjakovë, ku kreu dy klasë, ndërsa klasën e tretë dhe të katërt në Prishtinë, duke diplomuar për mësues në vitin 1955.
Në shtator të vitit 1955 filloi të japë mësim në shkollën tetëvjeçare në Ostros, ku punoi deri në vitin 1957. Ndërsa më pas vazhdoi punën në Anë të Malit, përkatësisht në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, nga viti 1959 deri më 1964. Në këtë vit u regjistrua në degën e historisë pranë Fakultetit Filozofik në Prishtinë, ku në afat, në vitin 1968 mori diplomën e profesorit. Nga shtatori i vitit 1968 deri në maj 1980 ka dhënë mësim në Shkollën e Mesme në Ulqin, ndërsa nga viti 1980 e derisa doli në pension në vitin 1991, ka punuar në BVI në Ulqin.
Krahas punës edukativo – arsimore është marrë edhe me punë shkencore, ku është paraqitur me kumtesa nga fusha e historisë në konferenca të ndryshme. Si rezultat i studimeve dhe hulumtimeve të tij, në kuadër të edicionit të “Art Club”-it ka botuar librat “Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881” dhe “Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881-1912”, që vlerësohen si studimet më të thelluara, më gjithëpërfshirëse dhe më serioze mbi këtë periudhë të të kaluarës së Ulqinit. Muajin e kaluar, SHAI “Art Club” ka botuar në gjuhën malazeze librin e tij “Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881”.
Mr. Riza Rexha ka qenë Anëtar Nderi i “Art Club”-it dhe laureat i Çmimit Vjetor të kësaj shoqate për vitin 1998.

i. k.

Share.

Leave A Reply