Artikuj tërheqës nga fusha të ndryshme

0

Para disa ditësh doli nga shtypi numri i ri (15) i revistës për kulturë, shkencë dhe art “Dija”.
Në këtë numër sjell një mori të artikujve tërheqës, duke filluar prej letërsisë së bukur, asaj moderne, poezisë dhe prozës, si të autorëve shqiptarë ashtu edhe të huaj, e deri te studimet e mirëfillta historike, etnologjike, linguistike, turizmologjike e arkitektonike.
Revista hapet me moton nga thënia e Shën Terezës (Gonxhe Bojaxhiut) Se ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por gjëra të vogla e me dashuri të madhe. Në këtë frymë është përgatitur edhe numri më i ri i revistës, duke i ofruar lexuesit shkrime nga penat më të shquara shqiptare, ballkanike dhe botërore.
Se “Dija” me të vërtetë është në hap me kohën dëshmon se atë ditë që ka dalë nga shtypi, është ndarë çmimi Nobel për letërsi. Laureati i këtij çmimi, Bob Dylan, është ai me të cilin fillon cikli i poezisë botërore në revistën “Dija”.
Revista shënon përvjetorët e Esad Mekulit, Migjenit, Dritëro Agollit etj., ofron informata të reja për trashëgiminë kulturore të trevës së Hotit, pastaj arapët në Shqipëri apo edhe për arkitekturën e ndërtimit të Kullës së Balshajve në Kalanë e Ulqinit.
Problematika dhe fati i librit shqip në Mal të Zi trajtohet përmes katër artikujve të studiuesve Liridona Sinishtaj, Dorian Koçi, Arjeta Fërlushkaj dhe Haxhi Shabani.
Kapitull interesant dhe i veçantë është ai që trajton traditën e shqiptarëve në territorin administrativ të Ulqinit, ku përmes këtyre artikujve trajtohet tradita detare, ullishtaria, e folmja shestanase, por shpalosen edhe ngjarje e ndodhi nga treva e Anës së Malit të Ulqinit.
Në revistë gjithashtu gjejmë edhe recensionet e disa prej botimeve të dala nga shtypi kohës së fundit, që kanë lënë gjurmë te lexuesi shqiptar.
Revista mbyllet me shpalosjen e veçorive arkitektonike të Kullës së Balshajve, studim arkitektonik i bërë nga studenti i arkitekturës Korab Kraja.
Revista është redaktuar nga Këshilli redaktues, si dhe me angazhimin e kryeredaktorëve të këtij numri Gazmend Çitaku dhe prim. Dr. Gani Karamanaga.
Revista “Dija” është organ i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi dhe botohet një herë në vit.
Përurimi i numrit 15 të revistës “Dija” u bë të premten mbrëma në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin.

(Kohapress)

Share.

Leave A Reply