Behar Pali, fitues i përgjithshëm

0

Ulqin – Fondacioni “Studenti” organizoi të shtunën mbrëma në Galerinë e Arteve të Qendrës së Kulturës në Ulqin për të tretin vit me radhë Garat e recituesve të rinj në nivel të shkollave me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Në edicionin e sivjetshëm morën pjesë nxënësit e dhjetë shkollave fillore dhe tri shkollave të mesme nga Plava, Gucia, Malësia, Kraja dhe Ulqini.
Juria e përbërë nga Merita Smaja, aktore dhe regjisore nga Shkodra, Enisa Gjokaj, kryetare e organizatës joqeveritare Instituti për Zhvillimin e Kulturës nga Tuzi dhe Gjylie Pelingu, soprano nga Ulqini vlerësuan me Çmimin e Parë Behar Palin, nxënës i klasës së pestë të Shkollës fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, për recitimin e poemës “Jam shqiptar e kosovar” nga Mitrush Kuteli. Kjo është hera e dytë që Pali shpallet fitues i përgjithshëm i Garave të recituesve të rinj për shkollat shqipe në Mal të Zi pasi që ka fituar edhe në edicionin e vitit 2014.
Në kategorinë e shkollave fillore, vendi i parë i takoi Enola Balidemajt, nxënëse e Shkollës fillore “Xhafer Nikoçeviq” – Guci, vendi i dytë Esmerinda Lekperiqit, nxënëse e klasës IX të Shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” – Ostros, kurse vendi i tretë Isra Kajoshajt, nxënëse e klasës VII në Shkollën fillore “29 Nëntori” – Dinoshë. i.k.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “740” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply