Dëshmi e misionit human të shqiptarëve

0
Në Kullën e Balshajve në Muzeun e Ulqinit u hap ekspozita fotografike “Shpëtimi i hebrenjve në Kosovë gjatë Holokaustit”

Në ekspozitë janë prezantuar 40 fotografi, kryesisht portrete të kryefamiljarëve dhe familjeve që kanë stre- huar hebrenjtë në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore

Ulqin – Në Galerinë e arteve në Kullën e Balshajve, në Muzeun në Kalanë e Ulqinit, të shtunën është hapur ekspozita fotografike “Shpëtimi i hebrenjve në Kosovë gjatë Holokaustit”.

Ekspozita është organizuar nga Qendra Kulturore – Ulqin në bashkëpunim me Shoqatën e Miqësisë “Dr. Haim Abranavel” nga Prishtina.

Në ekspozitë janë prezantuar 40 fotografi, kryesisht portrete të kryefamil- jarëve dhe familjeve që kanë strehuar hebrenjtë në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përfaqësuesja e Shoqatës së Miqësisë “Dr. Haim Abranavel”, Xhangyle Iljazi, ka treguar se kjo ekspozitë i ka rrënjët në vitet ’70, kur ajo ka filluar të hulumtojë për hebrenjtë në Ballkan, kryesisht për ata në Kosovë.

“Gjatë atyre hulumtimeve kam hasur në disa familje të cilat më kanë treguar se kanë pasur hebrenj në shtëpitë e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë ajo.

Megjithatë, të pakëta janë ato familje që kanë dokumente dhe dëshmi për këtë.
Sipas Iljazit, për shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët nuk është ditur deri në vitet ’90.
Ajo ka thënë se disa nga elementet që kanë ndikuar në sjelljen e shqiptarëve ndaj hebrenjve në mënyrë humane janë zemërgjerësia, fisnikëria, bujaria, mungesa e antisemitizmit.
“Por kryesorja është besa. Besa e shqiptarëve ka qenë ajo që i ka mbajtur he- brenjtë”, ka theksuar Iljazi.
Drejtori i Qendrës Kulturore të Ulqinit, dr. Nail Draga, ka thënë se shqiptarët si askush tjetër kanë rrezikuar veten dhe nuk e kanë dorëzuar asnjë hebre te nazistët.
“Nga një veprim i tillë shpjegohet fakti se në fund të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri kishte më shumë hebrenj sesa në fillim të saj. Ishte ky një mision human i shqiptarëve që nuk ishte i tillë me popujt tjerë ballkanikë, të cilët kishin sjellje të kundërt ndaj tyre”, u shpreh ai. Në këtë kontekst, Draga përmendi rastin e shqiptarëve në Kosovë, ku një numër i konsideruar i familjeve shqiptare edhe këtu kanë rrezikuar veten për të mbrojtur hebrenjtë, gjë që sipas tij, paraqitet në këtë ekspozitë.

“Edhe hapja e kësaj ekspozite në Ulqin ka misionin e saj njohës me vlerat etike të popullit tonë, duke njoftuar opin- ionin e gjerë për sakrificat në strehimin dhe shpëtimin e familjeve hebreje gjatë kohës së Holokaustit në Kosovë, në kohën e Luftës së Dytë Botërore”, ka theksuar ai.

Deri tani, ekspozita “Shpëtimi i he- brenjve në Kosovë gjatë Holokaustit” është hapur në qytete të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë, vende të ndryshme në Evropë dhe botë, kurse në Kullën e Balshajve do të qëndrojë e hapur deri më 25 shtator. i.k.

Besa Hebrejet

Share.

Leave A Reply