Kontribut dhe ndihmesë e jashtëzakonshme e kujtesës historike

0

“Jemi munduar që për çdo vit ta përkujtojmë këtë tragjedi me qëllim që të mos harrohet e kaluara. Thuhet se një popull i cili e harron të kaluarën e vet, detyrohet ta përsërisë. Ne dëshirojmë që shqiptarët më kurrë të mos e përsërisin këtë tragjedi, këtë eksod biblik që iu ka ndodhur”, ka thënë prof. Dr. Ali Topalli, kryetar i OJQ “Eksodi ‘99”.

Ulqin – Pas Prishtinës, Ulqini është qyteti i dytë ku u bë përurimi i librit “Eksodi ’99 – Dëbimi me dhunë i popullatës shqiptare nga Kosova”.
Libri është botuar në fillim të këtij viti nga Organizata Joqeveritare “Eksodi ‘99” nga Mitrovica. Ai është përmbledhje e akteve nga konferenca shkencore e organizuar nga kjo shoqatë, më 14 prill 2014 në Mitrovicë, me rastin e shënimit të 15-vjetorit të dëbimit me dhunë të shqiptarëve nga Kosova. Por përpos trajtesave shkencore, në libër kanë zënë vend edhe kujtimet e vetë atyre që e kanë përjetuar eksodin biblik, reportazhe, fotografi dokumentare etj.
Në fjalën e tij, kryetari i OJQ “Eksodi ‘99” dhe redaktori i librit, prof. Dr. Ali Topalli, si përjetues i eksodit të vitit 1999, ka rrëfyer momentet e shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga Mitrovica.
Ai ka treguar se kur ka filluar lufta në Drenicë, pothuajse krejt popullata e kësaj krahine, e më pas edhe nga Vushtrria dhe Shala e Bajgorës, rreth 100 mijë banorë, u strehuan në Mitrovicë.
Por sipas Topallit, eksodi më i tmerrshëm ishte pikërisht nga Mitrovica me rrethinë.
“Më 15 prill të vitit 1999, në orën 5.00 të mëngjesit, forcat policore, ushtarake dhe sidomos ato paramilitare, u vërsulën në popullatën shqiptare që ishin grumbulluar në pjesën jugore të qytetit, sikur bishat e egra, dhe ua dhanë pesë minuta kohë banorëve shqiptarë që t’i lëshojnë shtëpitë dhe banesat e tyre”, ka thënë ai.
Topalli ka thënë se me qëllim që të fusin frikë dhe tmerr te qytetarët dhe që menjëherë t’i lëshojnë shtëpitë dhe banesat e tyre, forcat serbe natën ndërmjet 14 dhe 15 prillit, në Lagjen e Kovaçëve pushkatuan 20 shqiptarë, në Lagjen e Boshnjakëve 11 shqiptarë dhe dhjetë të tjerë i kanë pushktatuar në pika të ndryshme të qytetit të Mitrovicës.
Si pasojë e vrasjeve dhe dhunës, Topalli ka thënë se 80 për qind e popullatës shqiptare të Mitrovicës u detyruan të largohen nga ky qytet dhe përmes Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit, duke kaluar rreth 200 km në këmbë, pa ushqim, veshmbathje dhe ujë, të kalojnë në Shqipëri.
“Gjatë këtij udhëtimi, ne kemi përjetuar tmerre të ndryshme, duke filluar nga ofendimet në baza nacionale, rrahje, mos të flasim për plaçkitje. Ka pasur vrasje rrugës, sidomos ka pasur dhunime të grave shqiptare. Ka qenë diçka e tmerrshme”, ka rrëfyer prof. Dr. Ali Topalli përjetimet nga eksodi biblik i vitit 1999.
Ai ka folur edhe për punën e organizatës që ai drejton në ndriçimin, dokumentimin dhe përkujtimin e eksodit.
“Jemi munduar që për çdo vit ta përkujtojmë këtë tragjedi me qëllim që të mos harrohet e kaluara. Thuhet se një popull i cili e harron të kaluarën e vet, detyrohet ta përsërisë. Ne dëshirojmë që shqiptarët më kurrë të mos e përsërisin këtë tragjedi, këtë eksod biblik që iu ka ndodhur”, ka thënë Topalli.
Sekretari i OJQ “Eksodi ‘99”, Haki Shyti, ka lexuar për të pranishmit një fragment nga recensioni i prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi mbi librin, duke e vlerësuar atë, “një kontribut dhe ndihmesë e jashtëzakonshme e kujtesës historike”.
Në punimin e tij, të titulluar “Të përndjekurit nga Kosova gjatë luftës 1998-1999, të vendosur në Anë të Malit – Ulqin”, i cili është pjesë e librit “Eksodi ’99 – Dëbimi me dhunë i popullatës shqiptare nga Kosova”, Hajredin Kovaçi bën fjalë për të dëbuarit e strehuar në trevën e Anës së Malit dhe përkujdesjen ndaj tyre.
Ai ka thënë se të përndjekurit nga Kosova ishin të vendosur pothuaj në të gjitha fshatrat e Anës së Malit.
“Sipas evidencës së Zyrës së LD në MZ-së në Katërkollë, koordinatorit Hajredin Kovaçi, në Anë të Malit kanë gjetur strehim mbi 130 familje kosovare me mbi 1200 anëtarë, prej tyre rreth 300 fëmijë. Kishte nga të gjitha qytetet e Kosovës…”, ka thënë Kovaçi, duke sqaruar se ka mundësi që të ketë pasur edhe të tjerë të strehuar në Anë të Malit, por duke qenë se nuk janë lajmëruar, për ta nuk ka evidencë të saktë.
Me këtë rast, ai ka lexuar edhe dy poezi autoriale me temë refugjatët.
Përpos përurimit të librit, me këtë aktivitet është shënuar edhe 20-vjetori i përndjekjes masive të shqiptarëve nga vatrat e tyre në Kosovë.
Skender Hoxha, kryetar i Komunës së Ulqinit në kohën e luftës së Kosovës, ka evokuar kujtime nga kjo kohë dhe pritja e strehimi i të përndjekurve nga Kosova.
Ai ka thënë se kur kanë mbërritur të dëbuarit e parë nga Kosova në Ulqin, në vitin 1998, ka përjetuar rrëqethje sepse ka qenë diçka e zorshme me të cilën është dashur të përballen.
“Jemi munduar që me të gjitha mundësitë tona dhe dijen tonë t’ua zvogëlojmë vështirësitë që kanë pasur në atë kohë”, ka thënë Hoxha.
Ai ka theksuar se hapi i parë që kanë bërë ka qenë hapja e dyerve të Komunës dhe sallës së Kuvendit, ku janë strehuar përkohësisht në fillim ata që nuk kanë pasur ku të vendosen.
Ish-kryetari Hoxha ka treguar në mënyrë të detajuar se si Komuna e Ulqinit e ka menaxhuar këtë krizë humanitare, në bashkëpunim edhe me institucionet qeveritare, organizatat e huaja, qytetarët e Ulqinit, bizneset private etj.
Në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Podgoricë, ka përshëndetur konsulli Kadri Balaj.
Ai ka shprehur falënderim të veçantë për qytetin e Ulqinit, “për pritjen e popullatës shqiptare nga Kosova në ditët më të vështira të saj, pasi që e dimë se eksodi i vitit ’98-’99 ishte tentativa e fundit e Millosheviqit, e Serbisë së atëhershme, që në Kosovë të krijojë një tokë të shkretë”.
Balaj ka thënë se “duke iu falënderuar sidomos NATO-s, SHBA-së dhe luftës sonë çlirimtare, Kosova sot është e pavarur, po zhvillohet si shtet dhe bashkë edhe me Shqipërinë, sigurisht që janë dy forca që do t’i ndihmojnë vazhdimisht edhe shqiptarët që jetojnë jashtë këtyre dy shteteve”.
Në emër të organizatorit ka përshëndetur kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, i cili ndër të tjera ka thënë se “është nder dhe kënaqësi për Ulqinin, si një qytet që e ka përjetuar shpërnguljen masive të shqiptarëve nga Kosova dhe ku janë strehuar disa dhjetëra mijëra të përndjekur gjatë luftës së vitit 1998-1999, të jetë qyteti i dytë ku po bëhet përurimi i këtij libri”.
Përurimi i librit “Eksodi ’99 – Dëbimi me dhunë i popullatës shqiptare nga Kosova” është organizuar nga SHAI “Art Club” dhe Organizata Joqeveritare “Eksodi ‘99” nga Mitrovica, në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit – Ulqin.i. k.

Share.

Leave A Reply