Kur Fuqitë e Mëdha kontrollojnë botën

0

Kjo dramë bën fjalë për Amerikën e cila ka filluar t’i robërojë vendet e vogla, t’ua marrë pasurinë dhe po përpiqet t’u shesë idenë për të formuar shumë parti në një vend të vogël, ndërsa vetë Amerika qeveriset prej vetëm dy partive. Amerika po mundohet të kontrollojë gjithë botën

Tuz – Aktorë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, kanë shfaqur në QKI “Malësia” në Tuz dramën “Si ta vrasim presidentin”, të autorit Miro Gavran, me regji të Marigona Bekteshi- Ferati dhe e interpretuar nga Mirad Ferati, Fatmir Haliti, Rabije Kryeziu dhe Njomëza Tmava.
Kjo shfaqje u ndoq me mjaft interesim nga një numër jo i madh i artdashësve, ndërsa aktorët nëpërmjet saj pasqyronin një fenomen që është edhe sot i pranishëm në shoqëritë njerëzore, atë të kontrollit dhe shtypjes që ushtrojnë fuqitë e madha ndaj shteteve të vogla.
“Kjo dramë bën fjalë për Amerikën e cila ka filluar t’i robërojë vendet e vogla, t’ua marrë pasurinë dhe po përpiqet t’ua shesë idenë për të formuar shumë parti në një vend të vogël, ndërsa vetë Amerika qeveriset prej vetëm dy partive. Amerika po mundohet të kontrollojë gjithë botën”, u shpreh për gazetën “Koha Javore”, regjisorja e kësaj drame, Marigona Bekteshi- Ferati.
Drama “Si ta vrasim presidentin”, transmeton tek publiku një varg mesazhesh: si robërimin e vendeve të vogla, varfërinë që po shkaktohet në këto vende, izolimin e vendeve të vogla si dhe pamundësinë për të luftuar kundrejt Fuqive të Madha të cilat vazhdimisht i kontrollojnë vendet e vogla.
Kjo është hera e parë që drama “Si ta vrasim presidentin” është shfaqur në Tuz, ndërsa premiera e saj është dhënë në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë në fund të muajit qershor të këtij viti, ku ishte i pranishëm edhe vetë autori, Miro Gavran. t. u.

Share.

Leave A Reply