Letërsia shqipe nuk ka krijuar mekanizmat e njohjes brenda vetes

0

Shkodër – Në kuadër të edicionit të 9-të të Festivalit Letrar të Shkodrës, i cili organizohet nga Biblioteka “Marin Barleti” – Shkodër, të premten mbrëma në sallën e kësaj biblioteke është mbajtur takimi me shkrimtarin Haxhi Shabani.
Ai ka mbajtur ligjëratën me temë “Integrimet e letërsisë shqiptare brenda vetes”, ku ka trajtuar një mori problemesh që lidhen me këtë çështje.
Shabani ka thënë se shumica e studiuesve seriozë të letërsisë e pranojnë se letërsia shqipe në nivel kombëtar nuk funksionon si një e tërë.
Sipas tij, “problemi themelor në këtë rrafsh është se letërsia shqiptare ende nuk ka krijuar mekanizmat e njohjes brenda vetes”.
“Aktualisht, 25 vjet pas, pasi janë zhdukur problemet politike e administrative, ideja fillestare e viteve ’90 të shekullit të shkuar, për krijimin e kushteve për funksionimin e letërsisë si një e tërë nuk është realizuar. Krijimi i kushteve të tilla mund të thuhet se është në hapat e parë”, ka theksuar shkrimtari.
Shabani ka përmendur një sërë faktorësh që kanë ndikuar në këtë situatë.
“Kjo situatë në fushën e letërsisë shqiptare e ka bazën në mungesën e hartimit të një platforme të përbashkët kombëtare për të krijuar kushtet minimale për ndërtimin e infrastrukturës që letërsia shqiptare të funksionojë në tërë gjeografinë shqiptare”, është shprehur ai.
Për këtë gjendje të letërsisë shqipe sot, ai ka bërë përgjegjës në radhë të parë Tiranën dhe Prishtinën, duke pohuar se “ideja e njohjes së letërsisë shqiptare brenda vetes nuk është realizuar sepse dy kryeqendrat shqiptare nuk kanë krijuar hapësirë të mjaftueshme për skajet e letërsisë shqipe”, duke nënkuptuar edhe letërsinë që krijohet nga autorët shqiptarë në Mal të Zi.
Në këtë aspekt, sipas tij ndodhin shpeshherë edhe paradokse të ndryshme, siç është për shembull përfshirja e një autori në antologji vetëm sepse është arbëresh, pavarësisht vlerave letrare të veprës së tij. Ndërkaq, “përballë këtij paradoksi ndodh gati rregullisht paradoksi tjetër që shpeshherë kufijtë e futjes në përzgjedhjet e këtilla, apo dhënies së shpërblimeve mbyllen brenda kufijve të Shqipërisë ose Kosovës”.
Shabani ka përfunduar duke thënë se “letërsia shqipe, duke mos funksionuar brenda vetes si një e tërë, nuk ka mundësi të realizohet me shkëlqimin e saj të vërtetë as në nivelin e gjuhëve të mëdha botërore, si në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht e spanjisht”.
Më pas, në bashkëbisedim me udhëheqësin e takimit, Gjovalin Çuni, drejtor i Bibliotekës “Marin Barleti”, Shabani ka folur mbi krijimtarinë e tij dhe ka lexuar disa poezi. Ai i është përgjigjur po ashtu interesimit të pjesëmarrësve në takim, të cilët nga ana tjetër kanë shprehur mendimet e tyre rreth temës së trajtuar dhe problemeve të tjera që e shqetësojnë letërsinë shqipe sot.Takimi me shkrimtarin Haxhi Shabani u organizua në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.

i. k.

Share.

Leave A Reply