Manifestim kulturor i nivelit ndërkombëtar

0

Në harkun kohor prej 25 vitesh në sheshin poetik parakaluan shkrimtarë dhe poetë të njohur dhe penat më të arrira në letërsi si Dritëro Agolli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Enver Gjarqeku, Mehmet Kraja, Visar Zhiti, Agron Tufa, Mimoza Ahmeti, Mira Meksi, Zuvdija Hoxhiq-Berisha, Andrej Nikollaidis, Sllavko Pregl, Gilbert Beers e shumë të tjerë

Ali Salaj

Kalimera Poetike është ndër manifestimet e rralla kulturore në rajon ku në formatin më të bukur paraqet fjalën artistike, ligjërimin për librin, fisnikërinë e fjalës dhe trazimin poetik.
Kalimera Poetike nisi si një tavernë poetike apo si një orë letrare për t’u shndërruar ngadalë, por sigurt në një manifestim kulturor të nivelit ndërkombëtar ku bashkoi krijuesit mbarëshqiptar, por edhe krijuesit nga rajoni dhe bota.
Për herë të parë në Kalimerën Poetike nisën miqësitë e letërsisë, e gjuhëve dhe e kulturave duke performuar së bashku dhe duke u gërshetuar kulturalisht. Kalimera Poetike u kthye në një simbol dhe emblemë kulturore e qytetit për t’u shndërruar sot në një festival letrar ndërkombëtar.
Në harkun kohor prej 25 vitesh në sheshin poetik parakaluan shkrimtarë dhe poetë të njohur dhe penat më të arrira në letërsi si Dritëro Agolli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Enver Gjarqeku, Mehmet Kraja, Visar Zhiti, Agron Tufa, Mimoza Ahmeti, Mira Meksi, Zuvdija Hoxhiq-Berisha, Andrej Nikollaidis, Sllavko Pregl, Gilbert Beers e shumë të tjerë.
Këto personalitete ndërtuan historinë e këtij manifestimi duke e shndërruar në një bibliotekë me thesare të mëdha letrare dhe në një ngjarje vërtetë artistike e kulmore.
Kalimera Poetike gërshetoi në vetvete ekspozitat e piktorëve të shquar me synimin që në një vend të përmblidhen mendimet e tyre për fuqinë e letërsisë dhe imazhin e pikturës. Këtu shkrimtarë dhe kritikë shprehën magjinë e artit të letërsisë, për sfidat që po kalon, për prirjet e artit figurativ, përkatësisht të pikturës që sikur poezia konsiderohet art elitar. Është ky gërshetimi më i bukur artistik ku paralelizmi i fjalës së shkruar me tablot e piktorit krijojnë magjinë e artit dhe simbiozën më ekspresive duke e plotësuar në mënyrë të përkryer njëra tjetrën.
Koncepti dhe qasja serioze në mënyrën e organizimit, përzgjedhjes dhe prezantimit dëshmojnë për punën e madhe dhe profesionale të Art Club-it, i cili përmbyti klishetë paragjykuese se edhe në provincë mund të organizohet manifestim kulturor të nivelit të lartë.
Kalimera Poetike lindi në një realitet të brishtë kulturor, i cili vazhdon të jetë i tillë edhe sot. Kjo është pasojë e përçmimit që i bëhet krijuesve të kulturës nga institucionet përkatëse qofshin ato lokale apo qendrore.
Megjithatë me punën e vazhdueshme të Art Club-it, Kalimera Poetike u bë shtylla kryesore mbi të cilën ndërtohet identiteti kulturor i këtij qyteti.

Share.

Leave A Reply