Mbiemrat flasin për identitetin

0

Gjuha shqipe tek Arbanasit në të gjithë Kroacinë ku jetojnë ata e së bashku me të edhe identiteti kombëtar është pothuajse i humbur. Ndërkaq mbiemrat e tyre sigurisht që flasin për identitetin e tyre dhe e vetmja gjë që u ka mbetur në kujtim të identitetit të tyre etnik e kombëtar. Lidhjet e tyre me gjenezën dhe trojet nga kanë ardhur në Dalmaci me kohë janë këputur dhe ata sot, në shumicën e rasteve, deklarohen si kroatë.

Hajrullah Hajdari

Shpërngulja e shqiptarëve, në kahje të ndryshme, ka qenë një ndër problematikat më kryesore të ruajtjes dhe zhvillimit të qenies dhe indetitetit kombëtar ndër shekuj. Kjo “sëmundje” shekullore e shfaqur që në kohërat më të hershme, vazhdon e vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Depërtimi i osmanëve në Ballkan e veçanarisht në trojet shqiptare dhe zgjerimi i vrullshëm i pushtetit të tyre, i detyroi qindra mijëra shqiptarë t’i lëshojnë tokat e tyre shekullore, të nisen për ne dhe të huaj e të vendosen në krahinat e ndryshme të Italisë, kurse një pjesë e tyre edhe në disa qytete të Dalmacisë, që nuk kishin rënë nën sundimin osman. Por në bazë të disa dëshmive arkivore, edhe para invazionit osman “sëmundja” e shpërnguljes, për arsye të ndryshme, ishte e pranishme në trojet shqiptare, ndonëse me intensitet më të vogël.
Shumica e shqiptarëve të emigruar në Itali e Dalmaci, me kalimin e kohës e të ballafaquar me luftën për ekzistencën e tyre atje, u asimiluan, kështu që sot është vështirë t’i gjesh të gjitha rrënjët shqiptare në Itali e sidomos në Dalmaci. Përjashtim bëjnë disa vendbanime më kompakte në Kalabri apo Sicili në Itali dhe vetëm Arbreshët e Zarës në Dalmaci, të cilët sadopak e ruajtën qenien dhe gjuhën shqipe deri sot e kësaj dite, ndonëse me kalimin e kohës po zbehet gjithnjë e më shumë.
Migrimi i shqiptarëve drejt Dalmacisë, përveçse në dy raste, ka gjasa që të jetë bërë në grupime të vogla ose individuale. Rasti i parë i migrimeve në grupe në Dalmaci, është vendbanimi Arbanija në ishullin Çiovo afër Trogirit, në shekullin XV, dhe rasti i dytë është ngulimi i shqiptarëve në Zemunik apo Arbanas në afërsi të Zarës, në shekullin XVIII. Ndoshta përveç këtyre dy rasteve duhet përmendur vendbanimin Peroi në Istër, banorët e të cilit janë vendosur aty nga Crmnica në vitin 1657, kur ajo ishte pjesë e Krajës dhe i gjithë ky territor quhej Albania Veneta. Kjo edhe për faktin se shumë albanologë dhe gjuhëtarë të tjerë mendojnë se emri i këtij vendbanimi rrjedh nga fjala shqipe “përrua”.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “845” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply