Mision human, patriotik dhe atdhetar

0

“Libri të ngjan edhe si një rebelim i autores. Është rebelimi i intelektualit kundër harresës, që autorja i kundërvihet përmes konceptit të ringjalljes së një krahine dhe të miteve të saj, figurave të shquara. E shkuara mund të tejkalohet, por nuk fshihet, pasi ajo është dhe ngelet brenda natyrës njerëzore”, ka thënë redaktori i librit Gjovalin Çuni

Ulqin – Dy vëllimet e botimit “Fjalor enciklopedik i hapësirës shkodrane” të autores Zenepe Dibra, botuar nga Enti Botues “Gjergj Fishta” – Lezhë, janë përuruar të shtunën mbrëma në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin.
Në afër 1800 faqet e tij, Fjalori jep në mënyrë lakonike historinë e Shkodrës dhe hapësirës së saj etnogjeografike në të gjitha fushat e veprimtarisë së saj.
Autorja ka treguar se pse në Fjalor nuk ka përfshirë vetëm qytetin e Shkodrës, por gjithë hapësirën shkodrane.
“Është e pamundur që jeta e qytetit tim, jeta social-kulturore, historia e tij, luftrat për çlirim kombëtar të tregohen të palidhura me të gjithë hapësirën që na rrethon, ku Shkodra ka qenë kryeqendra e kësaj hapësire”, ka thënë Dibra.
Sipas saj, misioni i librit që i kushtohet kryesisht lexuesit shkodran dhe të hapësirës shkodrane, është që të dinë historinë e tyre.
Ajo ka theksuar se në Fjalorin enciklopedik, Ulqini zë një vend të veçantë dhe në të janë përfshirë shumë personalitete ulqinake, ngjarje etj. që lidhen me Ulqinin.
“Pas Shkodrës, Ulqini është qyteti i vetëm në këtë hapësirë, në pjesën veriore të Shqipërisë, i cili ka treguar që ka vlera dhe kontribute në të gjithë historinë e tij, qoftë në luftrat për çlirim kombëtar, në jetën social-ekonomike, jetën tregtare, jetën ekonomike, jetën detare”, është shprehur autorja.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “789” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply