Pasqyrim i rrethanave shoqërore të pasluftës në Kosovë

0

Tuz- Trupa teatrore e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka shfaqur dramën “Dëshira Tours”, ndërsa shfaqja është përshtatje e “Tramvaji i quajtur dëshirë” nga Tennesee Williams, me regji të Ardi Mejzinit, interpretuar nga aktorët: Qëndresa Kajtazi, Bujar Ahmeti, Molike Maxhuni, Labinot Raci, Adelina Xharrahu, Edlir Gashi dhe Flamur Ahmeti, ndërsa skenografinë e kësaj shfaqjeje e kanë realizuar Aziz Maloku dhe Arta Restelica.
Në prani të një numri të vogël të artdashësve në sallën e QKI “Malësia”, aktorët në fjalë, me një interpretim jashtëzakonisht mjeshtëror dhe profesionist, ku janë mirëpritur ngrohtësisht nga publiku i pranishëm, kanë trajtuar rrethanat shoqërore në Kosovën e pasluftës të vitit 1999. Ngjarja zhvillohet në Fushë-Kosovë, një vend të cilin , sipas regjisorit të shfaqjes e karakterizon multi-etniciteti shoqëror dhe njerëz me prapavija të ndryshme të cilët takohen në këtë shfaqje, në shtëpinë e Zenel Berishës.
“Kemi një personazh i cili ka origjinën nga një vend rural i cili takohet me kunatën e tij e cila është nga një prejardhje urbane. Këta të dy kanë botëkuptime të ndryshme dhe si pasojë e mos-korrespodencës së tyre në një gjuhë të përbashkët, përfundojnë në një rrëmujë dhe konflikt”, u shpreh për “Koha Javore”, regjisori i kësaj drame, Ardi Mejzini, duke shtuar se dëshira e tyre do të ishte që këtë dramë ta shfaqin edhe në Ulqin, Shqipëri dhe kudo që ka shqiptarë, nëse për këtë do të krijohen mundësitë.
Në të njëjtën kohë, njëri ndër aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që aktroi në shfaqje, në prononcim për Koha Javore theksoi se kjo shfaqje sociale, trajton lakminë e pushtetit, sidomos të qenit epror ndaj grave shqiptare, një fenomen që vazhdon dhe sot të jetë prezent në mesin e shumë çifteve.
“Unë do ta definoja mesazhin e kësaj drame si njëfarë shtypjeje ndaj atyre që janë lakmiqarë që të përvetësojnë diçka pa të drejtë, diçka ndoshta dhe fizike e jo vetëm materiale”, u shpreh aktori, Bujar Ahmeti.
Kjo është hera e parë që kjo dramë shfaqet në Tuz kurse premiera është dhënë më 7 dhe 8 të muajit të kaluar, në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. t.u.

Share.

Leave A Reply