POEZI (Anton Gjuravçaj)

0

Sa  puthje prej Jude toka jonë apo Via dolorosa moderne në shqip

Dikush duhet të zëvendësoëj të vdekurit
që çdo ditë i nxjerrim jashtë
për një arnë lavdie
ende pa ardhur dita e gjykimit
ka ligje varri
nëse të kaluarën më në fund e bëjmë të çmendet
mund të trembim vetëm sorrat me të
frëngjitë e kullave mbesin si nuse veja
tokës që është mësuar me këmbët tona
i pëlcasin brinjët
era e veriut sjell
ulërimën e ujqve prej herët në mëngjes
deri vonë në mbrëmje
fjalët dhe prapa fjalët përtypen me pështymë Lindjeje
që me tërbim do të përkundi djepin tonë
mbi humnerë
vorbull
dhuratë t’ ia japi harresës

koha si dëshmitare e përjetshme dergjet në ethe
deri sa me qëllim ngatërrohen këngët me vajet
ah kjo rrokullisje që si sëmurje na mbeti në gjak
e nuk ndalë të kafshuarit në zemër
pas shpine
në thembër
çfarë mallkimi është ai
që vlerave duhet t’ u japim erë shkrumbi
hedhësit e litarëve në qiell
si të nëmur me kandar të çoroditur
duan të na bëhen krimba shpirti
le të shkëputen heronjtë e xhepit
si kokrra të mëdha breshëri të shpërfytyrohen në tokë

të vetëdijesohemi se kanë trup
pa shpirt
se flasin të kurdisur….
në emrin tonë shëtisin si arusha cirku….
mos të presim të lirohemi prej botës së përrallave
përmes mallit…
lotëve
nuk gëlltitet ajo farë vetëshkatërruese
me histori përdhunimi
që rrënjët i gjen sa më larg vetes
nëpër botë
dhe nëse kërkon momenti do të krrokat edhe në shqip
e aq më pak ajo lakmi verbuese
që i shtjerr gjoksin tokës

çfarë janë këto puthje prej Jude
vetëcungim …
tkurrje
sa vend ndalje të reja plogështie
përqeshje
dhimbje…
që lindin me të drejtin
e plaket me këmbëngulësinë
pragu i shtëpisë mbetet mali më i lartë
dhe gjykatësi më i ashpër
nëse përfundohet në fundin e xhepit
ballin do të na e përdorin si gur kalldrëme
në këtë mot të vogël

hija duke u munduar të ruaj formën e brishtë
do të ikë e para
atëherë shqip do të ikin orët
zanat
shtojzovallet
dragonjtë
engjëjt
shenjtërit
edhe kënga majëkrahut …
lahuta
gjurmët e frymimit
motmotet
që ushqejnë damarët e maleve
mos t’u bien plisi mijëravjeçar

as se kemi shfletuar shortin në fushë
as përmbajtjen e dheut
larjen dhe shpëlarjen

zhdukja ka rregull
si kërmill do të duhet të zvarritemi
me varr mbi shpinë
rrugën ta kërkojmë me duar

Pse na sfidon gjithmonë me keqanë o Zot
apo fytyra e mallkimit sot janë këta
gjurmash të kalbur prej mosdije
që duan të përtypin
edhe ditën e emrit
lindjen
dheun
Malësorit kryqin e fytyrën ia vure mbi shpatulla
a nuk thua vet se nuk shitet ajo që ti e fale
apo ke filluar të besosh edhe vetë
fjalëve të shën Pjetrit në Fishtjançe
se për inat të djallit e të malësorëve
do të shpëtosh Malësinë

Share.

Leave A Reply