Poezi: Hajredin Kovaçi

0

Dojshe me m’provu

Kam pa andërr
Se t’pashë n’andërr
Librin tem tuj lexu
E m’thojshe
Gja s’po kuptoj, kush e ka shkru
E mua m’doli gjumi
Pa të tregu!

Kam pa andërr
Se t’pashë n’andërr
Tuj lexu’ librin tem
E m’pyetshe
Kush e ka shkru’
Se asgja s’po kuptoj
E unë të thojshe
Aspak s’të tregoj!

Kam pa andërr
Se t’pashë n’andërr
Që të gjitha mirë i ke kuptu
Veç dojshe mu me m’provu!

Mikes poete

Sot, Ti duhej të ishe këtu
Por s’të ka ftuar kush
E unë s’pata se si

Sot, Ti duhej të ishe këtu
Mes poetëve e vetme
Por më mirë që s’je
Këta të hanë të gjallë
Të kafshojnë si të marrë…!

Dua të të ftoj një ditë
Të pimë nga një gotë
Raki apo verë, s’ka rëndësi
Në këtë pranverë!

Do të bëhemi grimë
Do të shfrejmë, do të shuajmë mallin
E kohës së kaluar
Mallin që na përvëloi!

Do të puthemi si të marrë

Do të kafshohemi kafshërisht
Se ato nuk lëndojnë!

Le të dalë gjak
S’është hera e parë
Të gjitha do t’i bëjmë açik
Asgjë tinëzisht!

Do të futemi thellë në njëri-tjetrin
Të harrojmë çdo gjë rreth nesh
Ti frikë të mos kesh!

Le të flasin, bërtasin
Le të pëlcasin
Fundi fundit, jemi poetë
Dhe bëjmë si duam vetë!

Skena verore

Hana mbi Kala
mbi Kullë të Balshajve
përvidhet ngadalë
detin e bën të kuq
me rrezet e saj.

Nga skena vjen një oshtimë
hahen ndër veti
një kitarë me një violinë.

I bukuri Ulqin

Isha vetë dhe po mendoja
gjatë natës
Ulqini duhet të mbetet
qytet i turizmit
e jo qytet i naftës!

Mund ta kem edhe gabim
Por, s’do të mund të thoni më
Se po shkojmë
Në t’bukurin Ulqin!

Zemërimi i vjeshtës

Zemërohet vjeshta
për gjethet e reja të fikut
të hardhisë
të kumbullës
e të qershisë…
Merr një rrozgë nga pylli
u bie gjetheve jeshile
n’shullâ ka dalë e rrezitet
bullari e gjarpri katil.

Po t’mos ishte pasqyra

Sa të shëmtuar
të pabukur
me qurra nëpër fytyrë
qerpikëvarur e buzëkallur
hundëleshë e me qime n’veshë
do të dukeshin njerëzit
po t’mos ishte pasqyra!
Shumë s’do ta dinin a kanë
si u duket fytyra
po t’mos ishte pasqyra!

Faj nuk kam

Unë jam ky që jam
as s’do mundohem të ndryshoj
kam frikë se gaboj!
Më duhet, pra
me vrap kali të ngas
se, më keq se dikur
hienat më vijnë pas!
Teposhtë e përpjetë
vrapoj
vrapoj t’u iki
por bie në rrjetë!
Gjithandej rrjeta të merimangave helmuese
që para se të të mbysin
të thonë fjalë ngushëlluese!
Sa dal nga njëra
bie në rrjetën tjetër
hienat vazhdojnë të më ndjekin
me avazin e vjetër!
E unë, çtë bëj, kur faj nuk kam?!
E di
do të thoni, nëse faj nuk ke
vazhdo të jesh ai që je!

Share.

Leave A Reply