Poezi nga Ali Gjeçbritaj

0

Im atë

Im atë ka lindur atë mot kur u çua flamuri
Jetoi nën ngjyrat e shumë flamujve
që u valëvitën në truallin e tij për më se një shekull.
Im atë ndërroi jetë atë mot kur flamuri
valëviti në Kosovën e lirë.
Im atë lindi me flamuj në shtiza ngritur gjithandej
Me Ismailin lundroi detit të trazuar
Me Isën rrugëtoi në baltrat e kësaj toke
Por nuk u vonua në kohë.
Im atë e donte Shkupin, qytetin e mureve kala
Manastirin e Abetares e mbajti gjallë në anën e majtë të kraharorit
Im atë e donte Rozafën, piu gji nga balada e murosjes
Mbi njëzet e pesë shekuj më tha kemi thurë rrathë ari
Në bedenat e qytetit flori Ulqin.
Im atë nuk iku nga kjo botë
Pa u ngritur flamuri në Prekaz, në Kullën e Jasharajve.
Kur u largua në amshim
Përshëndeti me dorë
si nëna në Urën e Fshejtë
shpirt mbushur
Iku në përjetësi nga kjo botë
me zemër plot.

Sofra

Na mblodhi tok në kohë dhe në vakte
Na rriti, na dha forcë
Na burrëroi.
Sa bukë, kripë e zemër kanë shtruar motet
Vetëm sofra jonë e di
Mos t’i shkelim thërmiat e bukës
Sofra do na mallkojë.

Më shikoni

Pse më shikoni ashtu?!
Duket se keni kapur
Buzëqeshje të rastësishme
Ajo nuk u përket juve
Buzëqeshjet e mia janë përjetësi.
Sytë e mi

Sytë e mi

Siç duket nuk u interesojnë
Të bëhen me rreth të zi
Ju i doni të përvuajtur
Siç kanë qenë dikur
Jo, sot ata shndrijnë në hijeshi
Nuk thonë kot
Burrit era e duhanit
Gruas era e bakamit
Kanë hijeshi.

Burrëria

Trimëria frut
Bujaria virtyt
Kur flet burrëria
Mundet lakmia.

Urrejtje

Thonë se vdekja është ligj i natyrës
Kërkoj ndjesë
Më falni mua
Unë e urrej natyrën.
Gurët e qytetit të vjetër

Në rrugicat kalldrëme
të qytetit të vjetër
gurë të latuar,
japin gërhamën e fundit
të mureve kala.
Gjuha ilirishte fshehur në bedena
tinëzisht flet me orën e malit
me rreth të bardhë si bora në kokë.
O Zot, mallkoje djallin
lugatin që vjell zjarr
e dogji flamurin tonë.
Gjuhë e zanave të Rumisë
në Gurin e Divit vigan
gdhendur në shkëmb.
Gjallë në portën e qytetit
në heshtje jeton gjuha e Ilirisë
në çdo gur të qytetit tim
ajo pret mysafirë.

(Poezi nga përmbledhja
në dorëshkrim “Gurët e truallit tim”)

Share.

Leave A Reply