Shpluhurosje e harresës së mozaikut material dhe shpirtëror

0

“Kjo ekspozitë ka për qëllim të mbajë hapur dritaren e memories kolektive duke ftuar vizitorët jo vetëm të prekin nga afër, por të reflektojnë, e pse jo, të frymëzohen mbi pasurinë e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore që prej shekujsh ky qytet mban mbi gurët buzë detit”, ka thënë realizuesja e projektit Alma Sulejmanoviq

Ulqin – Në Galerinë e Arteve të Qendrës së Kulturës në Ulqin, të dielën mbrëma është hapur ekspozita me temë “Thesaret e trashëgimisë kulturore shqiptare”.
Në ekspozitë janë prezantuar fotografi të monumenteve natyrore dhe kulturore-historike në komunën e Ulqinit, të realizuara nga fotografja Valona Cakuli, si dhe sende të vjetra, mjete pune e objekte të ndryshme, pjesë e Muzeut Etnografik në Draginë të Anës së Malit.
Realizuesja e projektit, Alma Sulejmanoviq, ka thënë se “kjo ekspozitë ka për qëllim të mbajë hapur dritaren e memories kolektive duke ftuar vizitorët jo vetëm të prekin nga afër, por të reflektojnë, e pse jo, të frymëzohen mbi pasurinë e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore që prej shekujsh ky qytet mban mbi gurët buzë detit”.
Sipas saj, kjo ekspozitë multimediale “synon pak nga pak të shpluhurosë harresën që ka mbuluar mozaikun material dhe shpirtëror që formëson identitetin dhe thelbin jo vetëm të qytetit, por të secilit prej nesh”.
Për të pranishmit është shfaqur një video e shkurtër, ku nëpërmjet udhëtimit të dy turisteve në Ulqin, eksplorohen kultura dhe bukuritë natyrore të këtij qyteti.
Në fjalën e hapjes, Sulejmanoviq ka falënderuar për realizimin e projektit dy bashkëpunëtoret e saj, fotografen Valona Cakuli dhe disenjatoren e modës Leonora Basha, Fondin për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave i cili e ka mbështetur projektin, si dhe Muzeun Etnografik – Draginë, Qendrën e Kulturës dhe L&G Design për ndihmën e dhënë në realizimin e ekspozitës.  i. k.

Share.

Leave A Reply