Simbol i shtetit, njëjtë si flamuri

0

Nuk ka rëndësi nëse është zbuluar ndonjë risi në Vitin jubilar të Skënderbeut, mjaftojnë ato njohuri sa kemi për ta mbajtur të ndezur pishtarin e lirisë dhe ndjenjën e krenarisë në zemrat tona dhe për të dëshmuar rrugëtimin në shekuj të një populli të vuajtur, por liridashës. Shqiptarët kudo që jetojnë dhe çfarëdo besimi të ndjekin, duhet të përulen, plot respekt e dashuri para heroit të kombit

Për Koha Javore: Fiqret Mujeziqi

(vijon nga numri i kaluar)
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është figurë historike, të cilën gojëdhënat, tregimet, letërsia e artet tjera e kanë bërë figurë mitike, por që është si e tillë shumë e domosdoshme në përcaktimin, ruajtjen dhe valorizimin e trashëgimisë kulturore e historike shqiptare në Ballkan. Ai e njihte shpirtin liridashës të popullit shqiptar sepse me të ardhur në Krujë tha: “Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj”.
Për të arritur të mirën, ai e la jetën e ëmbël në Stamboll dhe iu kthye popullit të vet për ta udhëhequr drejt lirisë, për një jetë më të lumtur.
Kjo figurë është mishëruar aq shumë në qenien e popullit shqiptar saqë nuk mund të ndahet nga fati i këtij populli, andaj edhe përkrahësit e tij janë edhe përkrahësit e popullit shqiptar, kurse kundërshtarët e shqiptarëve janë edhe armiqtë e Skënderbeut. Ai nga një figurë historike mesjetare u kthye në një legjendë shqiptare dhe po t’i marrësh popullit shqiptar figurën e Skënderbeut dhe mitin e tij është sikurse t’i marrësh shpirtin dhe një popull i pashpirt është i vdekur.
Është shumë e vështirë të ndahet figura historike e kryetrimit shqiptar nga ajo mitologjike e cila ka shërbyer në ushqimin e shpirtit të një populli të tërë. Emri i tij qëndron shumë thellë i ngujuar në themelet e vetëdijes sonë kombëtare.
Autori i një studimi për Kishën Ortodokse në Shqipëri, Ardit Bido, shprehet se Skënderbeu na përket të gjithëve, pavarësisht feve. “Fakti historik që ka lindur ortodoks, është rritur mysliman e ka vijuar jetën si i krishterë, krah Papës e Patriarkut njëherazi, veç e forcon figurën e tij mbarëkombëtare pa dallime”.
“Ne vërtetë kemi Bajram dhe Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë”, thoshte i ndrituri Gjergj Fishta.
Ka dhe të atillë, bile njerëz të “ditur”, parlamentarë me mandatin e popullit, që deklarojnë se “Skënderbeu nuk është hero i imi, është hero i katolikëve”, duke harruar në të njëjtën kohë se katolikët janë vëllëzerit e tij. Turp!
Edhe në vendet më demokratike në botë nuk lejohet që të përdhosen simbolet e shtetit. Skënderbeu është simbol i shtetit, njëjtë si flamuri. Së paku parlamenti ishte dashur të reflektojë. Deklarimet e këtij lloji janë sa të turpshme, të prapambetura dhe kundërshtim i përparimit shoqëror ose kulturor, aq edhe antishqiptare. Shqiptarët e të gjitha feve janë vëllezër të një gjaku, një popull, një komb, pa marrë parasysh se a janë të besimit mysliman, katolik apo ortodoks. Ai i cili nuk identifikohet me Skënderbeun, nuk mund të identifikohet me shqiptarët. Edhe më keq, janë antikombëtarë, sepse siç do të thoshte pedagogu Aurel Plasari, duke komentuar sulmet ndaj Skënderbeut, ”kërkojnë të destabilizojnë dhe shpërbëjnë shtetin shqiptar”.
Për të qenë pjesëtar i një kombi nuk mjafton vetëm e kaluara e përbashkët historike, gjuha, zakoni etj., por edhe dëshira për t’i takuar një kombi. Shumë shqiptarë në këtë mënyrë janë asimiluar dhe kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në formimin dhe ngritjen e kombeve të tjera, por për popullin e origjinës nuk kanë bërë asgjë, kurse Skënderbeu iu kthye rrënjëve të veta arbnore, hyri në histori për të mos vdekur kurrë.
Edhe pse simboli i Skënderbeut është bizantin, shqiponja, dhe jo romak, pra luani, ai u kthye nga perëndimi sepse andej e shihte shpëtimin, por edhe radhitjen natyrore të shqiptarëve.
Skënderbeu zgjodhi diplomat Pal Engjëllin, i cili kryente funksionin e ministrit të jashtëm, autorin e asaj që quhet Formula e Pagëzimit (Un’te paghesont’ pr’emenit t’Atit e t’Birit e t’Spirit Senit) dhe është ndër shkrimet e para në gjuhën shqipe. Çka ka këtu të keqe?
Kjo na tregon për karakterin kombëtar të Skënderbeut, por edhe për orientimin perëndimor.
“Nga kjo figurë mund të mësojmë shumëçka, jo vetëm shqiptarët, por edhe popujt e tjerë të botës. Kjo figurë mban një koinçidencë me popullin dhe qëndresën ndaj pushtuesve, por edhe durimin në rrethana të caktuara dhe sulmet e shpejta dhe të befasishme për t’i shkaktuar armikut humbje.
Nuk duhet të jetë rastësi që Skënderbeu u konvertua në katolik, sepse kjo e lidhi me botën perëndimore. Aleatët strategjikë dhe natyrorë të Skënderbeut janë perëndimorë, nga Huniadi, Alfonsi e deri te Vatikani. Nuk është aspak rastësi që nga Vatikani mori titullin “Fidei defensor” dhe “Athleta Christi”! Kjo bën që shqiptarët të gjenden në Përendim, jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht. Për fat të keq ky shans që na e dha Skënderbeu nuk u shfrytëzua deri më sot ashtu siç duhet. Shqiptarët të ndarë në tri fe gjenden në mes të tri botërave: Perëndimore, Lindore dhe asaj Arabe. Si popull specifik në Ballkan ne kemi vetëm një rrugë: atë të Skënderbeut.
Shpeshherë shqiptarët kanë qasje inferiore ndaj kombit të vet, duke u shprehur se jemi të këtillë apo atillë dhe duke kërkuar strehim nën ombrellën e popujve të tjerë. Kush na ndalon që edhe në vendin tonë, ku jetojmë, të tregojmë qytetërimin, emancipimin dhe edukatën tonë nëse këtë aq shumë e dëshirojmë? Nuk ka nevojë as të bëhemi anglezë apo francezë, turq e ku ta di unë, aq më pak nga popujt fqinjë për të arritur të jemi qytetarë të ndershëm. Ajo çka me të vërtetë na mungon është ndjenja shtetformuese, siç e kishte Skënderbeu.
Në një takim në Shtutgart, i nderuari Don Lush Gjergji u shpreh se: Na ka humbur rruga në oborr dhe kurrkush nuk na e tregon si duhet gjetur, sepse oborri ëshë i yni”.
Ajo rrugë mund të gjendet vetëm me ndërgjegjësim, siç na mësuan rilindasit tanë të mëdhenj, siç na mësoi Skënderbeu dhe shumë e shumë kolosë të tjerë të kombit. Nuk duhet pritur nga atdheu të na i zgjidhë problemet, por duhet luftuar që të kemi atdhe të mirë. Në këte rast vlen shprehja e presidentit John F. Kennedy: “Mos pyet ç’ka bërë vendi yt për ty, por ti për vendin tënd”. Ai i cili nuk i takon popullit të vet, nuk i takon as njerëzimit. Skënderbeu ynë ishte para së gjithash figurë arbnore, por edhe njerëzimi pati përfitime nga ky kolos. Nuk ka rëndësi nëse është zbuluar ndonjë risi në Vitin jubilar të Skënderbeut, mjaftojnë ato njohuri sa kemi për të mbajtur të ndezur pishtarin e lirisë dhe ndjenjën e krenarisë në zemrat tona dhe për të dëshmuar rrugëtimin në shekuj të një populli të vuajtur, por liridashës. Shqiptarët kudo që jetojnë dhe çfarëdo besimi të ndjekin, duhet të përulen, plot respekt e dashuri para heroit të kombit. Lavdi!    (Fund)

Share.

Leave A Reply