Trajtimi i kufijve nga këndvështrimi historik

0

Studimi i fenomeneve të ndryshme shoqërore, politike, diplomatike, gjeopolitike, gjeostrategjike nga perspektiva shumëdimensionale janë sa të rëndësishme po aq edhe bashkëkohore. Qasja multiperspektive e studimeve shoqërore dhe humane hyn në kuadrin e studimeve të gjithmbarshme në të cilat gjejmë informacione nga më të ndryshmet nga fusha të rëndësishme të shkencave të cilat kanë korelacion ndërmjet tyre

Prof. Dr. Frashër Demaj

Ato pasurojnë dhe plotësojnë njëra tjetrën në strukturim, fenomene, përmbajtje, qasje e metoda si: historike, kualitative, empirike, logjike, krahasuese, statistikore etj., duke bërë tërësinë e një studimi të gjithmbarshëm e kuptimplotë. Të gjitha së bashku ia ka arritur ti trajtojë në thellësi dhe gjerësi deri në detaje politologu Prof. dr. Martin Berishaj në studimin e tij “Zhbërja e kufirit etnik”.
Libri ka 343 fq të ndara në tetë kapituj, faksimile të dokumenteve dhe në fund indeksin e emrave dhe literaturen.
Autori Berishaj në nisje të studimit fokusohet në trajtimin e kufijve nga këndvështrimi historik, duke u bërë ndër të rrallët studiues që hap shtigje të reja në studimet kufitare shqiptare duke e pasuruar edhe me dimensione të reja dhe duke bërë krahasime të natyrave të ndryshme. Ai jep shembuj konkretë edhe për vendosjen e kufijve siç është kufiri që ndan territoret shqiptare në zonën e Malësisë së Madhe, për të vazhduar më tej çështjen e vendosjes së kufijve në periudha të ndryshme historike, përfshirë këtu vendosjen e kufijve pas Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore bazuar në vendimet e marrura në konferencat e paqes.
Sipas profesor Berishajt, kufiri nuk është kategori statike, por është jashtë mase fluid, terren rrëshqitës, kategori e ndryshueshmërisë mbi të cilin dhe për të cilin parreshtur negociohet siç e definojnë diskurset shtetformuese. Proceset e shënimit dhe konstruktimit të kufijve janë ato që prodhojnë ndjenjat nacionale, identitetin, dallimin në mes tyre e që njëkohësisht u japin frymë proceseve. Sipas autorit të studimit “Zhbërja e kufirit etnik”, në hapësirën etnike shqiptare janë tri grupe diskursesh që kanë rol të rëndësishëm:
a) Historik
b) Institucional politik
c) Tekstual
Secilën prej tyre, profesor Berishaj e detajizon, madje duke i krahasuar me teza të studiuesve eminentë botërorë që merren me studimin e “bërjeve dhe zhbërjeve” të kufijve etnikë e shtetërorë.
Në kapitullin e parë dhe të dytë në fillim të analizës dhe vlerësimit të argumentit shkencor autori e përkufizon diskursin mbi kufijtë dhe rëndësinë e tyre, përdorimin e termave që përdorin gjeografët politikë: frontier, boundary, border dhe border landscape për të sqaruar pastaj kuptimësinë e secilit prej termave të përdorur.
Ai në vazhdim vëmendje të posaçme i kushton edhe kufirit nacional dhe kundërthënieve shoqërore për të dalur tek etniciteti dhe nacionalizmi si koncept teorik dhe praktik që ndikon fuqishëm në bërjen dhe zhbërjen e kufijve sidomos në zonat e trazuara siç është Gadishulli Ballkanik.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “780” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply