Vepër e çmuar për të përkujtuar dhe nderuar piktorin në pesë vjetorin e vdekjes

0

Podgoricë- Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve, “Art Club” nga Ulqini, në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve Figurativë të Malit të Zi, ka bërë përurimin e Monografisë dhe hapjen e ekspozitës retrospektive të piktorit Gjergj Noc Martini, në Pavionin Artistik të ShAFMZI- Podgoricë.
Në këtë mbrëmje artistike e cila nga folësit është konsideruar edhe si homazh ndaj piktorit Gjergj Noc Martini me rastin e pesë- vjetorit të ndarjes së tij nga jeta, kanë marrë pjesë pjesëtarë të familjes së piktorit të ndjerë, kryetari i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi, Igor Rakçeviq, kolegë të piktorit të ndjerë dhe anëtarë të ShAFMZI-së, akademikë, ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës në Mal të Zi, Ernal Filo dhe Skënder Durmishi, nënkryetari i parlamentit të Malit të Zi, njëherësh kryetar i KKSH-së, Genci Nimanbegu, përfaqësues të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës në Mal të Zi, përfaqësues të mediave të shumta si dhe personalitete të fushave të ndryshme.
Në fillim të përurimit të monografisë dhe të hapjes së ekspozitës retrospective, të pranishmit i ka përshëndetur Igor Rakçeviq, kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi i cili shkurtimisht ka përgëzuar dhe lavdëruar mundin që ka dhënë “Art Club”-i në realizimin e kësaj monografie.
Në të njëjtën kohë, në fjalën përshëndetëse, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë se ky promovim i monografisë dhe ekspozita retrospektive janë në të njëjtën kohë dhe mbrëmje përkujtimore dhe homazh ndaj jetës dhe veprës së këtij personaliteti të shquar të artit dhe kulturës sonë e cila organizohet në pesë- vjetorin e ndarjes së piktorit nga jeta.
“E kemi filluar me Ulqinin, me vendlindjen e piktorit ku të hënën mbrëma është përuruar monografia dhe është hapur ekspozita retrospektive, por dëshira jonë ka qenë që ta hapin ekspozitën restrospektive dhe ta përurojmë monografinë në ambientet e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi ku Gjergj Noc Martini ka qenë anëtar i shquar, por në të njëjtën kohë ka mbuluar edhe postet ose detyrat më të rëndësishme në këtë shoqatë. Ai ka qenë kryetar, nënkryetar dhe kryetar i Këshillit Artistik të kësaj shoqate. Gjergj Noc Martini kthehet sonte aty ku e ka vendin në shtëpinë e tij, kurse ju të nderuar kolegë dhe anëtarë të ShAFMZI-së, e dini më së miri se çfarë kontributi ka dhënë ai për këtë shoqatë dhe për tërë krijimtarinë artistike në Mal të Zi.
Kallaba duke falënderuar të gjithë ata që kanë bashkëpunuar dhe kontribuar në realizimin e monografisë, ka thënë se këtë projekt e kanë inicuar me një dëshirë, vullnet e dashuri të madhe dhe si një kurorëzim për piktorin, ndërsa siç tha, si kulm i kësaj pune është kjo monografi e cila Gjergj Noc Martinit i siguron përjetësinë si njeri dhe si artist i cili ka lënë si trashëgimi një numër të madh të punimeve me vlera të mëdha artistike të cilat janë vlerësuar lart nga Kritika e artit.
“Ashtu sikurse dhe shumë bashkëkohës të tij, Gjergj Noc Martini ka besuar në ideologjinë e kohës dhe ka jetuar në atë frymë. Megjithatë, e tërë krijimtaria e tij është ngushtësisht e lidhur me identitetin e tij i cili i shërben për ndërtimin e stilit të tij të veçantë”, tha në mes të tjerave Kallaba.
Ndërkaq, këtë ekspozitë e ka shpallur të hapur Akademik Pavle Pejoviq, njëherësh dhe drejtor i Muzeut Popullor të Malit të Zi i cili tha se edhe pse kanë kaluar pesë vjet nga kur piktori Gjergj Noc Martini nuk është në mes nesh, shpirti i tij i mirë është gjithandej me ne në këtë hapësirë ku sonte po hapin ekspozitën e veprës së tij.
“Gjergji është padyshim krahas Gjelosh Gjokaj njëri nga artistët më të shquar i cili vjen nga radhët e popullit shqiptar në Mal të Zi por edhe një artist i cili në korpusin e tij të përgjithshëm të krijimtarisë artistike në Mal të Zi ka lënë gjurmë të pashlyera. Angazhimi i tij në shoqatën tonë profesionale ku për një kohë të gjatë ka qenë njeriu kryesor, ka qenë një angazhim i njeriut i cili në mënyrë misionare ka menduar për situatën dhe ka shuar zjarret. Kështu ka qenë edhe si pedagog dhe si udhëheqës i shkollave ku ka punuar, besnik, i përkushtuar, dashamirës dhe mbi të gjitha profesionist”, është shprehur Pejoviq.
Ai ndër të tjera vuri në dukje se arti i tij figurativ ka kaluar nëpërmjet fazave të ndryshme por që gjithherë ka qenë strehë dhe mbështetje për ato aspiratat intime ku kërkohet shmangia nga jeta e përditshme duke respektuar thellë traditën e të parëve të tij.
“Më vjen mirë që Art Club-i nga Ulqini e ka botuar monografinë e pikturave të tij e cila në mënyrë shtesë do të kontribuojë që publiku i gjerë laik dhe profesional të ketë një pasqyrë më të mirë në krijimtarinë e tij”, ka thënë Akademiku Pavle Pejoviq.
Monografia është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave dhe nga disa donatorë të tjerë. t. u.

Share.

Leave A Reply