Aleanca Shqiptare bashkohet me ASH-në dhe IQ-në

0

Tuz/Guci- Alternativës Shqiptare dhe Iniciativës Qytetare të cilat para një muaji arritën kompromis për unifikim, i është bashkëngjitur së fundmi edhe Aleanca Shqiptare nga Gucia e cila në vijim do të veprojë në kuadër të Alternativës Shqiptare.
Arritjen e marrëveshjes për këtë unifikim e ka bërë të ditur përmes një deklarate për opinion Alternativa Shqiptare, e cila ka kumtuar se vendimi për shkrirjen në një subjekt të përbashkët u mor në komunën e Gucisë më 01. 10. 2017, në takimin ndërmjet përfaqësueseve të Alternativës Shqiptare dhe përfaqësuesve të Aleancës Shqiptare, ndërsa marrëveshja për unifikim u nënshkrua në Tuz më 04. 10. 2017.
“Duke njohur situatën politike aktuale në skenën shqiptare që nuk është aspak e lakmueshme, Alternativa Shqiptare vazhdon me përpjekjen e bashkimit të skenës politike nacionale në Mal të Zi. Përfaqësuesit e Alternativës Shqiptare që janë prezent me dy këshilltarë në Kuvendin Komunal të Gucisë, potencuan rëndësinë e këtij bashkimi, duke apeluar që edhe subjektet e tjera nacionale nga të gjitha trevat shqiptare të ndjekin rrugën dhe strategjinë që Alternativa Shqiptare po e praktikon kohët e fundit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Alternativës Shqiptare dhe Aleancës Shqiptare të sapobashkuar me ASH-në dhe IQ-në.
Ndërkaq, në deklaratën për opinion në mes tjerash, Alternativa Shqiptare ka ftuar të gjithë intelektualët, të rinjtë, grupet qytetare dhe subjektet e tjera nacionale që t’i bashkëngjitën këtij procesi të rëndësishëm dhe fundamental për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe për integrimin e merituar të popullit tonë në institucionet relevante. t.u.

Share.

Leave A Reply