Bora e parë vjeshtore

0

Plavë/Guci – Natyra në mëngjesin e të shtunës së kaluar, në trevat e komunave Plavë dhe Guci, gdhiu e mbuluar me vello të bardhë nga bora që reshi gjatë natës, e cila për 3-4 orë krijoi shtresën, trashësia e së cilës ishte: në viset e ulëta 5-10 cm, në viset kodrinore e malore 15-25 cm dhe në ato bjeshkore mbi 30 cm.
Në orët e para të mëngjesit, qarkullimi i automjeteve në akset e rrugëve lokale që vendbanimet rurale i lidhin me dy qendrat komunale Plavë dhe Guci dhe në aksin rrugor ndërurban (rajonal) Guci-Plavë-Andrijevicë, pak a shumë u zhvillua me vështirësi ngase ndërmarrjet kompetente për mirëmbajtjen e rrugëve, bora i zuri të papërgatitura për veprim dhe intervenim të shpejtë me mjetet e veta mekanizuese borëpastruese.
Bora e hershme e vjeshtës së sivjetme, dëme të mëdha u shkaktoi bujqve dhe blegtorëve në trevat e dy komunave në fjalë të cilët i shqetësoi dhe i brengosi shumë. Nga pesha e rëndë e borës së lagësht, pësuan dëme të konsiderueshme pemishtet, arat, kopshtet dhe lulishtet. U dëmtuan, sidomos, pemët, kurorat e së cilave mbetën pa degë të cilat i theu bora. Në shumë kopshte dhe ara të bujqve frutat i zuri të pavjelura e të pambledhura, të cilave u solli dëme të dukshme. Blegtorët këtë ditë u detyruan që bagëtitë t’i mbajnë në stalla e lokale të tjera gjegjëse dhe t’i ushqejnë në grazhde duke shpenzuar ushqimin e tyre të përgatitur për dimër. Ca blegtorë nga vendbanimet rurale të të dy komunave me bagëtinë e vet, bora i zuri në t’ banishte në bjeshkët e larta Bjeliç, Bradë, Bogiqe, etj., të cilëve u shkaktoi vështirësi e brenga, duke i detyruar që bjeshkën ta braktisin para kohës së paraparë për zdirgjje në fshatra.
Nga pesha e borës së rëndë, në veçanti dëm pësoi rrjeti i lart përçuesit 35 KW të energjisë elektrike në drejtimin Andrijevicë-Plavë-Guci, si dhe rrjeti i tensionit të ulët, me ç ‘rast vendbanimet e dy komunave këtë ditë mbetën pa energji elektrike deri rreth orës 21 të mbrëmjes, deri kur ekipet e punëtorëve elektricistë të Elektrodistribucionit të Beranit – Degët elektrodistributive në Plavë dhe Guci, ia dolën ta aftësojnë rrjetin për funksionim normal dhe vendbanimet e të dy komunave t’i pajisin dhe furnizojnë sërish me rrymë elektrike.
Në fund, theksojmë se bora ka shkaktuar dëme të dukshme edhe në komplekset pyjore të të dy komunave, duke thyer dhe rrëzuar degët dhe trungjet e drurëve halorë dhe gjethembajtës.
Ditën e diel, kur edhe po e hartojmë këtë raport, në viset e ulëta bora është shkrirë plotësisht, kurse në ato kodrinore-malore është në shkrirje e sipër. Sh. Hasangjekaj

Share.

Leave A Reply