Ëndrra për lirinë dhe çlirimin e Atdheut

0

Kjo rrugë jetësore e tij, nuk ishte e rastit. Jetoni ishte i lindur në një trevë që ka një histori të ndritshme të rezistencës së paepur shekullore për mbijetesë dhe të luftrave për liri dhe ishte rritur me rrëfimet për trimërinë e burrave dhe burrëreshave të kësaj ane… Të gjitha këto rrëfime do të bëhen shkollë e jetës për Jetonin

Për Koha Javore: Binak Ulaj

Para se të filloja të shkruaja disa fragmente të shkurtra nga jetëshkrimi i Jeton I. Dedushajt, të vetmit dëshmor të Luftës së UÇK-së nga Vuthajt e Plavës e Gucisë, por jo edhe të vetmit luftëtar, ashtu siç do të më tregojnë prindërit e tij, babai Idrizi, nëna Bjeshka dhe i vëllai, Kastrioti, më ishte kujtuar një fragment i poezisë së poetit të njohur, me prejardhje nga po kjo trevë, nga Nokshiqi historik, Qerim Ujkani:
“Ardhacakë të përçudshëm në tokën time
Historinë nisen edhe
Nuk bëjnë histori lufte njëherë nga fillimi
Bëjnë histori krimi…”
Këtë histori krimi, regjimi serb e kishte filluar që në vitin 1877/1878 dhe rifilluar, si sa e sa herë më parë, edhe në fund të viteve të tetëdhjeta dhe në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, kur Kuvendi i Serbisë do ta suprimojë atë gjysmë autonomie çfarë e kishte Kosova, ndonëse ky institucion serb nuk ia kishte dhënë atë, kur do t‘ua marrë të drejtën shqiptarëve t’i drejtojnë institucionet politike, kulturore dhe të qeverisin me resurset e veta ekonomike, me ç’rast do t’i largojë të gjithë të punësuarit shqiptarë nga puna, me përjashtim të ndonjë kombthyeri, veprim ky që rrezikonte ekzistencën e tyre dhe të familjeve të tyre, kur i kishte përzënë nxënësit dhe studentët shqiptarë nga shkollat dhe fakultetet, për arsye se s’kishin pranuar të mësonin “se shqiptarët kanë zbritur nga mali, se janë ardhacakë në Kosovë”, tezë serbe e gati dy shekujve më parë, por e përsëritur edhe sot e kësaj dite nga krerë shtetërorë serbë, ndaj kishte helmuar mijëra nxënës shqiptarë, duke synuar kështu, jo vetëm zhbërjen e identitetit kombëtar të shkollës shqipe dhe serbizimin e saj, por edhe t’i detyronte të rinjtë shqiptarë të hiqnin dorë nga shkollimi dhe ta braktisnin vendin. Edhe atëherë kur shqiptarët e kishin organizuar mësimin e pavarur shqip duke i shndërruar shtëpitë në shkolla, policia serbe, sipas instruksioneve të marra nga Beogradi, do t’i përndjekë, ndalojë e torturojë nxënësit dhe studentët shqiptarë, kudo që arrinte.
Këto krime, që ishin bërë të përditshme dhe gjithnjë e më të rënda, të riut vuthjan, Jeton Dedushajt, do t’ia shtojnë urrejtjen ndaj robërisë dhe do t’ia rrënjosin në mendje mësimin e përsëritur aq herë në histori se “liria nuk dhurohet, por fitohet”, e kishin bërë të kuptojë se çlirimi i Kosovës nuk arrihej me fjalë, se rruga paqësore që propagandohej nga qarqe të caktuara shqiptare, ishte rrugë e nënshtrimit të plotë, nënshtrimit të turpshëm. Ndaj, ëndërr e tij e madhe do të bëhet liria dhe çlirimi i atdheut.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “868” të revistës Koha Javore


Share.

Leave A Reply