Gjon Ujka i trieshit-kristofer kolombo i malësisë

0

Të dielën me 13 gusht në Triesh do të përkujtohet Gjon Ujka Gjurashaj. Ky perkujtim bëhet në kuadrin e 110-vjetorit të nisjes së tij për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 110-vjetorin e Luftës së Lemajës. Këtë burrë malësor të Trieshit e kisha njohur qysh në fëmijëri

Për Koha Javore: Gjek Gjonlekaj / New York

Ograja e tij e madhe “Lujzet e Gjon Ujkës” ishte pranë ograjës sonë. Gjoni vinte atje çdo ditë për të punuar dhe për t’u kujdesur për livadhet e tij të bukura. Gjon Ujka ishte një burrë i madh dhe mbante në kokë një shall të bardhë-tarabullus, ashtu siç e mbanin disa burra të Malësisë dhe të Rugovës. Ai punonte gjithë ditën dhe nuk pushonte kurrë. Ndalej vetëm nëse ndokush shkonte për të biseduar me të. Ishte serioz dhe i ashpër ndaj moskujdesit tonë karshi pronës së tij. Me këtë shtëpi të njohur kishim lidhje familjare, sepse një bijë e jona ishte e martuar me axhën e tij, Nishk Prelën. Kjo miqësi e bënte Gjonin edhe më te dashur me familjen tonë.
Një lidhje të dytë me këtë familje e krijova në shkollën tetëvjeçare të vëndlindjes në Triesh. Në këtë shkollë isha shok klase e te birin e tij Nikollë Gjonin Gjurashaj. Nikolla ishte nxënës i dalluar, shumë i sjellshëm dhe elegant. Pasi mbaruam shkollën në Triesh, shkuam në Kosovë. Së bashku shkuam në Gjakovë dhe atje u regjistruam në Gjimnazin e atij qyteti. Drejtoria e këtij gjimnazi na priti mirë. Ata ishin shumë të kujdeshëm pr nxënësit shqiptarë nga Mali i Zi. Edhe sot e kujtoj një orë mësimi në mëngjez. Ishte fundi i muajit nëntor, kur hyri në klasë papritmas sekretari i gjimnazit me një telegram ë dorë dhe iu drejua Nikollës me këto fjalë:”Nikllë!. Ky telegram është për ty. Telegrami thotë se të ka vdekur babai. Familja kërkon që të shkosh sa më parë në Malësi për varrimin e tij. Nikolla u shtangë, i nderroi fytyra nga pikëllimi. Të gjithë nxënësit e klasës e shikuam me dhimbje dhe i shprehëm ngushllimet më të sinqerta. U largua nga klasa shumë i dëshpëruar dhe u nis për Malësi. U kthye pas një jave dhe vazhdoi mësimet si nxënës i mirë që ishte. Për shkak të vështirësive ekonomike nuk i vazhdoi studimet e larta . Duke mos parë ndonjë perspektivë në vendlindje Nikolla si djal i ri që ishte u nis për në Shtetet e Bashkuara ashtu siç ishte nisur 60 vjet përpara tij, babai tij Gjon Ujka. Kush mund ta imagjinonte në atë kohë se 6 dekada më vonë udhën e ij të gjatë do ta vazhdonte djali tij Nikollë Gjoni Gjurashaj. Në filim Nikolla u vendos në Detroit dhe pas nja dy dekadash shkoi në Florida ku jeton sot e kësaj dite. Shumica e pasardhësëve të Gjon Ujkës jetojnë në Shtetet e Bashkuara: në Detroit, në New York, në Florida dhe në Kaliforni. Disa nga pasardhësit e tij jetojnë edhe në Malësi.
Kjo familje e madhe, ruan respekt e dashuri të madhe për vendlindjen dhe paraardhësit e tyre sidmos për babain dhe për nënën që prehen në vendlindje. Ata sivjet ndërtuan në Triesh një pllakë përkujtimore për babain dhe gjyshin e tyre Gjon Ujkën, përndryshe kjo është një prej trevave më legjendare të Malësisë së Madhe. Në Nikmarash janë bërë luftëra të mëdha kundër pushtuesëve të ndryshëm. Por luftërat më të mëdha janë bërë kundër pushtimeve sërbo-malazeze, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Trimat e Nikmarashit u shquan edhe në Luftën e Lemajës në tetor të vitit 1907. Shumë familje të këtij fshati kishin prona në Lemajë dhe në Cem të Trieshit. Ushtarët turqë në Lemajë dhe në Grabom shkaktonin incidente dhe dëmë të përditshme. Trieshi për të ndalaur agresionin e ushtarëve turqë nuk kishte rrugë tjetër vetem një luftë të armatosur.
Gjon Ujka ishyte shquar në këtë luftë, ashtu siç ishin shquar disa trima tjerë të këtij fshati. Bile tregojnë familjarët e tij se pas pushtimit te kalasë së turkut në Lemajë Gjoni dhe disa bashkëluftëtarë të tij ishin futur në kullën turke ku kishin gjetur shumë armatime dhe gjëra tjera me vlerë. Turqit e kishin braktisur kullën e tyre. Gjoni kishte gjetur atje një revole tepër të shtrejtë qëmund të kishte qënë arma e ndonjë pashai të atij garnizonit turk. Pasi ishte kthyer në Triesh e kishte shitur dhe me këto para ishte nisur për Itali. Destinacioni tij ishte Amerika. Në fund të vitit 1907 Gjon Ujka i tha lamtumirë Trieshit dhe u nisë për rrugën e tij për në Shtetet e Bashkuara. Pas një qëndrese të shkurtër në Itali,shkoi në Gjermani ku qëndroi më shumë dhe prej andej u nis për Amerikë. Ndalesa e tij e parë ishte New Yorku. Kaloi nëpër kontrollin e zakonshëm të Zyrës së Emigracionit në Ellis Island. Kohë më parë nipat dhe mesat e tij të lindur në Amerikë kishin kërkuar emërin e tij në arkivat e kësaj zyre historike në New York. Ata kishin zbuluar atje emërin, mbiemërin dhe disa të dhëna tjera biografike. Ishte një kuriozitet i madh. Pas një kohe Gjoni ishte vendosur në qytetin Chicago, ku kishte punuar disa vjet. Më vonë ai kishte dëgjuar se në shtetin Oregon pranë Oqeanit Paqësor punët ishin më të mira. Atje qëndroi deri në fund kur u kthye përgjithëmonë në vendlindjen e tij në Triesh. Në këtë shtet të Amerikës kishte punuar shumë dhe kishte kursyer pjesën më të madhe të fitimeve. Atje kishte punuar në industrinë e përpunimit të drurit, ku ishte bërë mjeshtër i madh. Tërë kohën kishte punuar për një kompani. Gjoni u kishte rrëfyer djemëve të tij se pronari kishte një respekt për të. Bile kishte dëshiruar edhe martesën e njërës prej vajzave të tij me Gjon Ujkën. Ai kishte refuzuar ofertat sepse dëshira e tij e jetës ishte kthimi në vendlindje. Prindërit dhe familjarët e tij në Triesh kishin humbur lidhjet me Gjonin për pothuajse 4 vjet. Prej vitit 1914 e deri më 1918 nuk kishin marrë asnjë letër dhe as lajm per djalin e tyre. Ata ishin shqetësuar shumë për fatin e tij. E kishin gjetur pas 4 vjetësh pas një kërkese që kishte bërë Tomë Smajli Gjeloshaj nga Kryqi i Kuq. Kjo ndërprerje e korrespondencës kishte qënë sojë e Luftës së Parë Botërore. Gjon Ujka u kthye në Triesh në vitin 1920. Natyrisht se kishte bërë fitime dhe kursime të mëdha. Një pjesë të fitimeve i mori me vete në anije ndërsa pjesën më të madhe e transferoi prej bankës amerikane në bankën jugosllave ku pësoi humbje të madhe gjatë procesit të këmbimit monetar prej dollarit në dinar. Gjatë atij këmbimi kishte humbur pjsën më të madhe të fitimit në Amerikë. Edhe udhëtimi me anije me shumë të holla ishte i rrezikshëm nga hajdutët i kishte rrëfyer Gjoni djalit të tij Nikollës.
Pasi u kthye në vendlindjen e tij në Triesh filloi një jetë të re. Ndërtoi një shtëpi të bukur me gurë të latuar, që më vonë u quajt Kulla e Gjon Ujkës. Bleu toka e livadhe të mëdha. Iu përshtat vendit thuajse kurrë nuk kishte qënë në Amerikë. Respektoi traditat dhe normat shoqërore edhe më shumë se ata që nuk kishin qënë kurrë jashtë Trieshit. Ishte shumë modest. Nuk mburrej fare për gjithato udhëtime që kishte bërë nëpër Evropë e Amerikë. Ai kishte mësuar shumë nga shoqëria amerikane. Ishte një burrë i tipareve serioze shqiptaro-amerikane. Ata që e kanë njohur mirë thonë se Gjon Ujka nuk fliste shumë, por ato që i fliste ishin të vërteta. Ai tregonte shumë mrekulli për Amerikën, por nuk i tregonte të gjitha sepse për ambientin e Malësisë ato ishin të pabesueshme. Ai ruajti dashurinë e respektin për Amerikën deri ditën e fundit të jetës. Gjon Ujka kishte gëzuar shumë të mira nga jeta në Amerikë dhe kishte nostalgji të madhe për Shtetet e Bashkuara. Të gjithë i dëgjonin me vëmëndje tregimet e tij për mrekullitë e Shteteve të Bashkuara. Gjoni tregonte për të gjitha aspektet e jetesës amerikane. Tregonte për ekonominë, për infrastrukturën, për rëndin dhe shoqërinë dhe më shumë për demokracinë. Ai i kishte thënë njëherë babait tim: Asnjëherë në jetën time në Shtetet e Bashkuara nuk më kishte ndaluar kush për ndonjë informatë ose për letër njoftimi. Ai tregonte për jetën luksoze të aristokracisë amerikane dhe për ndërtime gjigante të pallateve nëpër qytete, pastaj për ura e anije të mëdha. Kjo aventurë ndërkontinentale në atë kohë ishte vepër historike dhe heroike. Ky turne epik nëpër dete dhe Oqeanin Atlantik kishte zgjatur 7 javë. Paramendo dallgët e deteve dhe Oqeanit. Kurdo që përmendej Gjon Ujka, përmëndej edhe Amerika. Identiteti i tij ishte Amerika. Rrëfimet e tij për Amerikën ishin futur thellë në shpirtin e popullit dhe nga ato rrëfime Amerika u bë vendi më I dashur i Trieshit dhe i gjithë Malësisë. Gjon Ujka ishte një Alexis de Tocqueville i dyte i demokracisë amerikane. U kthye në vendlindje për dashurinë e familjes dhe të vendit por atdheun e dytë Amerikën nuk e harroi kurrë. Ai fliste gjuhë të huaja dhe ishte shumë i ditur. Ai do të nderohet në vendlindjen e tij në kuadër të 110 vjetorit të Luftës së Lemajës dhe në kuadër të 110 vjetorit të nisjes së tij për Amerikë. Familja dhe shoqëria meritojnë respekt për angazhimin e tyre që ky burrë I famshëm i Trieshit të nderohet ashtu siç e meriton. Kjo familje e madhe dhe e mirënjohur do të kujtohet për këtë vepër fisnike, ashtu siç do të kujtohet përgjithëmonë babai dhe gjyshi i tyre Gjon Ujka i Trieshit dhe i Amerikës.

Share.

Leave A Reply