Homazh për ikonat e muzikës popullore

0

Liria e shprehjes, por edhe liria e këngës kanë qenë gjithmonë përcaktuese të vlerave të njeriut dhe të shoqërisë në të gjitha periudhat historike. Mirëpo për shqiptarët këto vlera të shenjta gjithnjë ishin të cenuara dhe në periudhat më të zymta u kanë shkaktuar drama të shumta individuale, familjare dhe kolektive. Pikërisht mungesa e kësaj lirie ishte përcaktuese në veprimtarinë e Haxhi Zenelit, i cili në librin ‘Me këngë nga vendlindja në Amerikë’ përshkruan një periudhë kaotike të lirisë së munguar”, ka theksuar recensenti i librit, Ali Salaj

Në kompleksin “Lamiga”, në Krythë të Anës së Malit, të martën e kaluar, më 28 gusht, u bë përurimi i librit “Me këngë nga vendlindja në Amerikë”, i autorit Haxhi Zeneli, i cili është botuar në fund të vitit të kaluar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
Në libër autori, i cili vetë është këngëtar popullor, trajton rëndësinë e artit dhe muzikës në ruajtjen e ekzistencës së popullit shqiptar në Anën e Malit, Ulqin dhe në trevat tjera shqiptare në Mal të Zi, në një kohë kur çdo gjë në gjuhën shqipe i pengonte pushtetit dhe armiqve të shqiptarëve.
Ai flet për kontributin e posaçëm të disa këngëtarëve dhe shoqërive kulturore artistike, në vendlindje e më pas në diasporën shqiptare në SHBA, për ruajtjen e folklorit burimor dhe traditave kulturore kombëtare. Duke qenë vetë protagonist i disa ngjarjeve në të kaluarën, ai pasqyron po ashtu përjetimet e veta dhe të shokëve të tij mbi këto ngjarje.
Një pjesë të veçantë të librit e zënë këngët e dasmave në Anë të Malit dhe disa këngë popullore sipas ahengut shkodran, të cilat Zeneli i këndon me pasion.
Redaktori i librit, dr. Nail Draga, ka thënë se libri “Me këngë nga vendlindja në Amerikë” sjell informacione me vlerë për trashëgiminë kulturore në vendlindje dhe në SHBA, ku autori jeton tani.
“Autori dëshmon në veten e parë si dëshmitar okular për disa çështje të trajtuara, por po ashtu ka konsultuar individë të ndryshëm si dhe një literaturë selektive. Të dhënat në këtë botim janë me interes sidomos për brezin e ri, të cilët nuk i kanë përjetuar masat represive nga pushteti jugosllav i kohës, e sidomos pas ngjarjeve të marsit të vitit 1981 në Kosovë, kur u legalizua fushata antishqiptare. Ishte kjo kohë e mbijetesës dhe e sfidave të mëdha për shqiptarët në Mal të Zi në përgjithësi e në Anë të Malit në veçanti. Ishte koha kur në emër të gjoja separatizmit shqiptar sulmohej çdo gjë, ku as kultura muzikore nuk bënte përjashtim”, u shpreh ai. i.k.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “830” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply