Në SHF “Mahmut Lekiq” u regjistruan 125 fillestarë dhe në Gjimanzin “25 Maji”, 116

0

Tuz- Viti i Ri shkollor 2017/2018 ka filluar të hënën më 04 shtator 2017 në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Mal të Zi si dhe në institucionet parashkollore publike.
Viti i ri shkollor e ka gjetur të gatshme për të startuar vitin shkollor edhe Shkollën Fillore ”Mahmut Lekiq” në Tuz me të gjitha degët e saj të shpërndara si dhe Gjimnazin “25 Maji” në Tuz.
Në Shkollën Fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz, këtë vit shkollor janë regjistruar 125 vogëlushë, 65 të cilët mësimin do ta ndjekin në gjuhën shqipe e që do të ulen për herë të parë në bankat shkollore për të mësuar shkronjat e para nga Abetarja Mbarëkombëtare dhe 60 që mësimin do ta ndjekin në gjuhën malazeze.
Në këtë shkollë, sipas zv/drejtorit, Luigj Junçaj, janë formuar 59 paralele, 37 me mësim në gjuhën shqipe dhe 22 paralele që mësimin do ta ndjekin në gjuhën malazeze, ndërsa numri total i nxënësve në këtë vit të ri shkollor është mbi 1160 nxënës.
Ndërkaq, në Gjimnazin “25 Maji” në Tuz, sipas drejtoreshës, Miliana Daboviq, e prononcuar për “Koha Javore”, këtë vit shkollor në shkollën që ajo drejton, në vitin e parë janë regjistruar, 116 nxënës, 84 nxënës në gjuhën shqipe dhe 32 nxënës në gjuhën malazeze.
Për Gjimnazin “25 Maji” në Tuz, muaji gusht ka qenë mjaftë i favorshëm meqenëse sipas drejtoreshës, gjatë pushimit veror, janë kryer disa investime të cilat përmirësojnë dukshëm kushtet si për nxënës ashtu dhe për mësimdhënës të kësaj shkolle.
“Në ambientin e brendshëm të shkollës kemi rinovuar komplet klasat dhe hollin duke i ngjyrosur me ngjyrë cilësore dhe të qëndrueshme. Kemi bërë dhe meremetimin e sallës së pritjes së prindërve të cilët tani e tutje do të ndjehen mjaft komodë në ambientin e ri, atëherë kur do të vinë të interesohen për suksesin e fëmijëve të tyre te profesori përkatës si dhe do t’iu ofrohet një kafe ose lëng frutash falas, derisa do të qëndrojnë në këtë sallë. Gjithashtu gjatë këtij pushimi kemi bërë dhe kafenenë për profesorët e shkollës me qëllim që në kohën e lirë (pauzë) të qëndrojnë në shkollë dhe të mos dalin jashtë ambientit shkollor, pra kemi krijuar kushte komode si për nxënës ashtu dhe për të gjithë profesorët dhe miqtë që do ta vizitojnë shkollën tonë”, u shpreh drejtoresha Miliana Daboviq, derisa paralajmëroi në vijim dhe disa projekte të reja dhe me vlerë për shkollën që drejton si dhe bëri të ditur së eksursioni për maturantët e sivjetshëm është caktuar më 16 shtator 2017 në destinacionet: Budapest, Pragë dhe Vjenë. t. u.

Share.

Leave A Reply