Promovim i Ulqinit dhe i Malit të Zi si destinacion turistik i gjelbër

0

Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës të premten mbrëma u shfaq premiera e emisionit “Pa kufi – Eksploroni botën: Mali i Zi”, të realizuar nga televizioni gjerman SAT 1, i cili pritet të transmetohet gjatë muajve të ardhshëm në këtë televizion të njohur.
Emisioni është xhiruar në maj të këtij viti dhe e paraqet Malin e Zi si një destinacion të veçantë në Ballkan që duhet zbuluar, me potenciale të mëdha dhe vende atraktive për t’u vizituar. Një vend të posaçëm në këtë emision zë qyteti i Ulqinit me të gjitha pasuritë e tij – natyrore, historike, kulturore, gastronomike etj.
Emisioni është realizuar me profesionalizëm, duke treguar përmes disa personave të zgjedhur të fushave dhe profesioneve të ndryshme bukuritë, veçoritë e Malit të Zi, histori të posaçme të tyre etj. Ai është mirëpritur nga publiku i pranishëm jo vetëm nga Ulqini, por edhe nga qytetet tjera të Malit të Zi.
Njëri ndër protagonistët kryesorë të këtij emisioni, Martin Bader nga Utjeha.me, një gjerman i cili jeton dhe ushtron aktivitetin e tij në Utjeha të Tivarit, ka treguar se çdo gjë ka filluar në maj të vitit të kaluar me një fotografi të shkrepur nga ai në Liqenin e Shkodrës, të cilën e ka dërguar në fotokonkursin me temë “Vendi im i bukur i ndotur”, të organizuar nga Shoqata ADP “ZID” në kuadër të aksionit “Let’s do it Montenegro”. Ambasada e Gjermanisë në Podoricë e ka vendosur këtë fotografi në faqen e saj.
Bader ka thënë se në mars të këtij viti i ka telefonuar Conny Schulze, producente e emisionit, e cila e ka pyetur nëse mund t’i ndihmojë për realizimin e emisionit, qëllimi i të cilit është që Mali i Zi të promovohet si destinacion turistik i gjelbër.
“Ajo ka ardhur në prill dhe për katër ditë kemi shëtitur tërë Malin e Zi, duke gjetur njerëz, vende interesante etj. Dhe në fund xhirimi i emisionit ka qenë në fund të majit dhe ka zgjatur dhjetë ditë”, është shprehur Bader.
Protagonistja tjetër e këtij emisioni, Zenepa Lika nga Asociacioni “Dr. Martin Schneider-Jacoby” ka thënë se arsyeja pse ky emision shfaqet premierë në Ulqin janë të shumta.
“Emisioni fillon me Ulqinin dhe mbaron me Ulqinin”, është shprehur ajo.
Përpos emisionit “Pa kufi – Eksploroni botën: Mali i Zi”, në fillim të aktivitetit janë shfaqur dy filma të shkurtër, të realizuar në kuadër të PASCH Video Workshop nga nxënësit e shkollave të mesme nga Ulqini, Podgorica dhe Berani.
Lika ka thënë se filmi i parë “Mali i Zi si një shtet multikulturor” e paraqet Ulqinin si qytet të tolerancës, multikulturës dhe multikonfesionalitetit, kurse filmi i dytë “Kriporja e Ulqinit – Thesari natyror i rrezikuar” tregon për bukuritë dhe potencialet natyrore të Ulqinit, në rastin konkret të Kripores së Ulqinit.
Të pranishmit i ka përshëndetur përmes lidhjes në skype producentja e emisionit “Pa kufi – Eksploroni botën: Mali i Zi”, Conny Schulze.
Në fund të aktivitetit është shfaqur spoti “Awareness”, i realizuar nga artistët e qytetit të Ulqinit në bashkëpunim me Asociacionin “Dr. Martin Schneider – Jacoby”, i cili ka për qëllim rritjen e vetëdijësimit të qytetarëve për Kriporen e Ulqinit.
Aktiviteti është organizuar nga Asociacioni “Dr. Martin Schneider – Jacoby” dhe z. Martin Bader/Utjeha.me.  i.k.

Share.

Leave A Reply