Cafo Beg Ulqini dekorohet me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

0

Tiranë – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka vlerësuar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Cafo Beg-Ulqinin (pas vdekjes) me motivacionin “Në nderim të figurës së tij të respektuar, të atdhetarizmit e veprimtarisë së tij politike dhe patriotike, si Kryetar i Parë Shqiptar i Bashkisë së Ulqinit për dy dekada në mes të dy luftërave botërore, si dhe deputet i Ulqinit në Parlamentin e Shqipërisë, para Luftës së Dytë Botërore, frymëzim për kombëtarizim dhe atdhedashuri”.
Titulli i është dorëzuar mbesës së tij Naxhije Alibegu – Buçinca, në një ceremoni solemne, të mbajtur të mërkurën e kaluar në institucionin e Presidencës së Republikës së Shqipërisë.
Propozimi për dekorimin e Cafo Beg Ulqinit është bërë nga Qendra e Kulturës – Ulqin, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Shoqata “Ulqini” – Durrës në vitin 2013.
Krahas Cafo Beg Ulqinit, Presidenti Nishani ka vlerësuar me tituj edhe disa figura të tjera të shquara të trojeve shqiptare, atdhetarë e prijës aktivë me ndikim të madh në qëndresën kombëtare dhe çështjen shqiptare. Kështu me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” janë vlerësuar Binak Alia (pas vdekjes), Ali Ibër Nezaj (pas vdekjes) dhe Isa Demaj (pas vdekjes), kurse Mexhid Mehmeti me titullin “Naim Frashëri”.
Në ceremoni kanë qenë të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, familjarë dhe personalitete nga Kosova dhe viset e tjera të banuara nga shqiptarët në rajon.

(Kohapress)

Share.

Leave A Reply