Dështon seanca e Kuvendit të Komunës së Gucisë

0

Guci – Seanca e Kuvendit të Komunës së Gucisë, e thirrur të enjten e kaluar, nuk është mbajtur sërish. Mosardhja e këshilltarëve të opozitës në seancën e KK të Gucisë ka bërë që kryetari Dr. Elvis Omeragiq, pas verifikimit të numrit të këshilltarëve të pranishëm, të konstatojë se nuk ka kuorum për punë, për shkak se raporti i këshilltarëve të pozitës dhe opozitës, pas largimit të këshilltarit të PDS-së Fahrudin-Fujko Dervisheviq nga pozita dhe mbështetja e tij opozitës është 15:15.
Në rendin e ditës kanë qenë 23 pika, në mesin e të cilave dhe miratimi i buxhetit të Komunës së Gucisë për këtë vit dhe i disa akteve të tjera të rëndësishme për funksionimin e organeve të komunës.
“Seanca e KK të Gucisë është thirrur me kërkesë të Qeverisë së Malit të Zi dhe siç po shihet, prej gjithsej 30 këshilltarëve sa numëron pushteti lokal, të pranishëm janë 15 këshilltarë, të gjithë nga pushteti, ndërsa po aq këshilltarë të opozitës as sot nuk kanë ardhur, duke e bojkotuar punën e këtij organi, ashtu që nuk kemi kuorum për mbajtjen e seancës. Kemi shteruar çdo gjë që ka qenë e mundur që gjendja e krijuar të tejkalohet dhe parlamenti të funksionojë. Mirëpo, edhe përkundër përpjekjeve nuk ia kemi dalë. Demokracia njeh edhe situata të tilla. Jemi të rinj, jemi komuna më e re në shtetin e Malit të Zi, ca madje ende nuk janë pjekur për demokraci dhe parlamentarizëm”, ka konstatuar kryetari i KK të Gucisë, Dr. Elvis Omeragiq.
Kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, ka theksuar se ky ka qenë afati i fundit që të mbahet seanca e Kuvendit të Komunës dhe të miratohen vendime të rëndësishme.
Ajo me keqardhje ka konstatuar se për këtë nuk ka pasur sukses për shkak të mosardhjes së kolegëve të opozitës.
“Siç po shohim, këshilltarët e opozitës nuk kanë ardhur në këtë seancë. Me keqardhje them se nuk e kanë njohur rëndësinë e këtyre vendimeve me peshë të madhe për qytetarët e Gucisë. Andaj, të gjitha projektet që i kemi filluar tani do të ngecin. Do të ngecim në realizimin e kryerjes së punëve në objektin e komunës, do të ngecim me punët në objektin e tregut të gjelbër, në rikonstruktimin dhe modernizimin e rrugëve dhe në shumëçka tjetër. Fjala është për investime shumëmilionëshe. Secili do të bartë pjesën e vet të përgjegjësisë dhe le të gjejë arsyetimin për veprimet dhe mosveprimet e veta. Sot unë nuk do të flas për atë që kemi bërë, e kemi bërë mjaft, dhe ajo sigurisht nuk është shkak i mosardhjes së opozitës në seancën e sotme. Kemi miratuar shumë vendime të rëndësishme, kemi trasuar rrugën për zhvillimin e mëtejmë të Gucisë dhe me keqardhje them se për më tej nuk kemi pasur më partner”, ka pohuar Çekiq, duke i falënderuar të pranishmit për bashkëpunimin e sinqertë.
Në fillim të seancës u verifikua mandati i këshilltarit të ri të LD në MZ, Shaban Prelvukaj, i cili sipas radhës së listës zgjedhore të këtij subjekti politik e zëvendësoi këshilltarin e deritashëm Bujar Hasangjekaj, i cili dha dorëheqje për shkak të konfliktit të interesit.
Sipas analistëve, për të dalë nga ky ngërç politik në pushtetin lokal në Guci, si duket rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme lokale.
Sh. Hasangjekaj

Share.

Leave A Reply