Edukimi i të rinjve për pjesëmarrje në vendimmarrje

0

Ulqin – Në kuadër të Planit të Veprimit për realizimin e Strategjisë për Rininë për vitin 2018, OJQ “Horizonti i Ri” në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit në Ulqin, fillojnë zbatimin e projektit “Të rinjtë marrin pjesë, të rinjtë marrin vendime!”.
Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është nxitja dhe udhëzimi i të rinjve në Ulqin për mundësitë e përfshirjes në vendimmarrje në komunitetin lokal.
Nga kjo organizatë kanë bërë të ditur se duke fuqizuar kapacitetet e 25 liderëve rinorë përmes një programi edukues inovativ, do të avancohen njohuritë e tyre për mënyrën e funksionimit të organeve lokale dhe atyre shtetërore, por edhe do t’u mundësohet përfaqësimi i iniciativave rinore në komunitet.
“Përveç kësaj, ky program do të ndihmojë në vendosjen e kontakteve ndërmjet organeve të vetëqeverisjes lokale dhe të rinjve, me qëllim të hartimit dhe zbatimit sa më të mirë të politikave rinore”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Pas përfundimit të ciklit të uorkshopeve me liderët rinorë, parashikohet që të ketë edhe aktivitete të tjera, si vizita studimore në Komunën e Ulqinit dhe në Kuvendin e Malit të Zi, shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, iniciativa rinore drejtuar Vetëqeverisjes Lokale për hartimin e politikave rinore dhe miratimin e “Buxhetit për të rinj” etj.
Pas përfundimit të kursit edukativ, pjesëmarrësve të cilët me sukses e kanë ndjekur programin e trajnimit, do t’u ndahen diploma për njohuritë dhe përvojat e fituara.
Projekti “Të rinjtë marrin pjesë, të rinjtë marrin vendime!” mbështetet nga Drejtoria për Rini në Ministrinë për Sport të Malit të Zi. (Kohapress)

Share.

Leave A Reply