Forca dhe UDSH arrijnë marrëveshje për koalicion

0

Ulqin – Forca e Re Demokratike dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve do të garojnë me listë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen më 16 tetor.
Kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, dhe ai i UDSH-së, Mehmet Zenka, kanë njoftuar nëpërmjet një deklarate për shtyp se këto dy parti kanë arritur marrëveshje për koalicion.
“Të dy grupet janë plotësisht të dakorduara që koalicioni i përbashkët i Forcës dhe Unionit është i mirëpritur dhe domosdoshmëri për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi. Grumbullimi i potencialit të dy subjekteve janë garanci e realizimit më efikas të synimeve dhe programeve politike dhe në interesin e përgjithshëm të shqiptarëve”, thuhet në deklaratë.
Forca dhe UDSH bëjnë të ditur se janë duke vazhduar bisedimet me subjektet tjera politike shqiptare dhe se janë të hapur për përfshirjen e të gjitha subjekteve në një listë të vetme.
Koalicioni ndërmjet Forcës së Re Demokratike dhe UDSH-së u arrit vetëm disa ditë pasi që Partia Demokratike deklaroi se bartës i listës për deputetë të kësaj partie në zgjedhjet parlamentare do të jetë Gëzim Hajdinaga, ish-ministër i Popujve Pakicë dhe i Grupeve Etnike në Qeverinë e Malit të Zi dhe ish-kryetar i Komunës së Ulqinit.
Duke ditur rrethanat politike dhe përçarjen e subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi, tashmë është e qartë se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të ketë dy lista shqiptare, ndërkohë që është paralajmëruar se mund të jetë edhe një listë e tretë.
Në përbërjen aktuale, subjektet politike shqiptare përfaqësohen me dy deputetë në Kuvendin e Malit të Zi.

(Kohapress)

Share.

Leave A Reply