Gëzim Hajdinaga, bartës i listës për deputetë

0

Ulqin – Këshilli Qendror i Partisë Demokratike, në mbledhjen e mbajtur të premten mbrëma, ka vendosur që bartës i listës për deputetë të kësaj partie në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 16 tetor të jetë Gëzim Hajdinaga, ish-ministër i Popujve Pakicë dhe i Grupeve Etnike në Qeverinë e Malit të Zi dhe ish-kryetar i Komunës së Ulqinit.
Në deklaratën për shtyp të kësaj partie theksohet se “jemi të sigurt se kjo listë të cilën do ta udheheqë Hajdinaga, si njeri i cili për më se një dekadë ka qenë inicues dhe realizues i shumë projekteve me vlerë për shqiptarët, do të fitojë votën e tyre dhe do t’i përfaqësojë me dinjitet në Parlamentin e Malit të Zi”.
Në deklaratë po ashtu njoftohet opinioni se “një grup i shquar i aktivistëve, intelektualëve dhe qytetarëve të lirë nga Ulqini dhe nga viset të tjera ku jetojnë shqiptarët, në krye me ish ministrin e Qeverisë së Malit të Zi dhe ish kryetarin e Komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga, i është bashkëngjitur Partisë Demokratike”.
Partia Demokratike është e bindur se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jetë në koalicion me partnerët e deritashëm në nivel lokal, si dhe me grupet e tjera relevante nga Malësia, Plava, Gucia dhe Rozhaja.
Nga kjo parti kanë njoftuar se javëve të fundit kanë zhvilluar negociata të frytshme me një numër të konsiderueshëm të subjekteve politike rreth realizimit të objektivave të përbashkëta në interes të shqiptarëve dhe daljen e përbashkët në zgjedhjet që po afrohen.
Bashkëngjitja e grupit të përfaqësuar nga Hajdinaga në Partinë Demokratike përbën bashkim të grupimeve politike që u larguan nga UDSH-ja në vitin 2011. Kujtojmë se pas largimit të katër këshilltarëve të UDSH-së nga kjo parti, të cilët më pas krijuan Partinë Demokratike, u formua shumica e re parlamentare në Kuvendin e Komunës së Ulqinit dhe kryetari Gëzim Hajdinaga dha dorëheqje. Pas kësaj, ai u largua nga UDSH-ja dhe nga jeta politike aktive.

(Kohapress)

Share.

Leave A Reply