Heshtje e organeve përgjegjëse

0

Punimet e Kishës Ortodokse Serbe në ndërtimin me gurë të kishës metalike ekzistuese në majën e Rumisë kanë ngjallur indinjatë dhe reagime të banorëve vendas të Krajës, qytetarëve shqiptarë dhe të përfaqësuesve të tyre.
Deputeti i Koalicionit “Shqiptarët të Vendosur” dhe nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, ka kërkuar nga ministri i Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit, Pavle Radulloviq, që të bëjë të ditur se çfarë do të ndërmarrë kjo ministri për zgjidhjen urgjente të problemit të ndërtimit informal që po bëhet në majën e malit të Rumisë, ku këto ditë po ndërtohet me gurë objekti metalik i cili që nga vendosja e tij ka qenë objekt i kontestit dhe i përçarjes ndërmjet banorëve të kësaj treve, por edhe të tërë opinionit në Malin e Zi.
“Çfarë ka ndërmarrë Ministria juaj dhe çfarë planifikon të bëjë lidhur me pa dyshim qëllimin e qartë të Kishës Ortodokse Serbe për të uzurpuar majën e Rumisë?”, thuhet në pyetjen e deputetit Nimanbegu drejtuar ministrit Radulloviq.
Lidhur me këtë çështje, deputeti Nimanbegu i është drejtuar edhe para disa ditësh ministrit Radulloviq, pas shfaqjes së fotografive për transportimin e materialit ndërtimor në majën e Rumisë.
Në përgjigjen e tij, ministri Radulloviq thekson se “pas këqyrjes në evidencën zyrtare të Ministrisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit është konstatuar se Inspeksionit Urbanistik-Ndërtimor nuk i është dorëzuar fletëparaqitja për ndërtim në Rumi. Po ashtu Ju bëjmë me dije se aktualisht në lokalitetin për të cilin bëhet fjalë nuk janë duke u kryer punime ndërtimore”.
Shoqata “Kraja” në Nju-Jork ka reaguar sërish lidhur me ndërtimin e kishës duke vlerësuar se Kisha Ortodokse Serbe po betonizon krimin nën hundën e pushtetit.
“Si qytetarë të Krajës jemi të shqetësuar se këto ndërtime të paligjshme kanë për qëllim uzurpimin e Rumisë nga Kisha Ortodokse Serbe. Kërkojmë nga Inspektoriati i Ndërtimtarisë së Malit të Zi që menjëherë të ndërhyjë dhe të ndalojë vazhdimin e këtyre punimeve në malin e Rumisë”, thuhet ndër të tjera në reagim, ku kërkohet edhe nga qytetarët që të jenë më proaktivë duke e njoftuar inspektoriatin për punimet ilegale.
Kjo shoqatë i është drejtuar me një letër të hapur edhe kryetarit të Komunës së Tivarit.
Reagime ndaj ndërtimit të kishës në majën e Rumisë ka pasur po ashtu edhe nga disa përfaqësues të tjerë të shqiptarëve. Ndërkaq institucionet dhe organet përgjegjëse deri tani kanë heshtur dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim.
Objekti metalik në formën e kishës në Rumi është vendosur në vitin 2005 nga Kisha Ortodokse Serbe me ndihmën e ushtrisë së atëhershme të Unionit Serbi-Mali i Zi. Qytetarët shqiptarë dhe përfaqësuesit e tyre politikë e kanë cilësuar këtë akt si përpjekje të uzurpimit të Rumisë nga Kisha Ortodokse Serbe, kurse institucionet përgjegjëse në Mal të Zi, ndonëse kanë konstatuar se kemi të bëjmë me një objekt ilegal nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret për prishjen e saj. i.k.

Share.

Leave A Reply