Investime të konsiderueshme në infrastrukturën e arsimit

0

Guci – Kohë më parë , në praninë e një numri të madh qytetarësh, por edhe nxënësish, mësimdhënësish e personalitetesh të tjera të jetës politike e shoqërore nga treva e komunës, por edhe më gjerë, Ministri i arsimit Damir Shehoviq dhe kryetarja e Komunës së Gucisë Anella Çekiq, të shoqëruar nga drejtori i shkollës Sherif Feratoviq, vunë gurthemelin për ndërtimin e kompleksit të fushave bashkëkohore të sportit në hapësirën e poligonit sportiv të Shkollës fillore “Xhafer Nikoçeviq”.
Në fjalën e rastit, ministri Shehoviq ka shprehur kënaqësinë për këtë projekt, të cilin Ministria e Arsimit e realizon në bashkëpunim me Fondacionin Gucia në Nju Jork. Vlera e tërësishme e investimit është rreth 300.000 euro.
Ministri Shehoviq me këtë rast shfaqi kënaqësinë për këtë projekt të rëndësishëm: “Jam më se i kënaqur që pas përfundimit të punëve të filluara sot, nxënësit e kësaj shkolle do të fitojnë dy terrene multifunksionale për futboll, hendboll, basketboll dhe volejboll, të ndërtuara sipas standardeve më moderne me tribuna të montuara në të dy terrenet, me 400 vende ulëse “ tha ai.
Kryetarja e Komunës së Gucisë, zonjusha Anella Çekiq, pasi i ka përshëndetur të pranishmit, ka theksuar se dita e sotme është ditë e veçantë për Gucinë, e cila do të jetë më e begatë me terrene të reja sportive të cilat do të janë me rëndësi të madhe për nxënës, e po ashtu edhe për të rinjtë e Gucisë.
Përfaqësuesi i Fondacionit Gucia me seli në Nju Jork, Z. Edvin Bektesheviq, ka bërë me dije se Fondacioni në fjalë me kënaqësi të madhe gjithnjë ndihmon vendlindjen e vet, ashtu që me sloganin “Për Guci më të bukur dhe më të mirë” prej themelimit të tij ne vitin 2006, e deri më sot, ka realizuar shumë projekte të rëndësishme në Komunën e Gucisë.
Drejtori i shkollës, Sherif Feratoviq, falënderoi të gjitha subjektet e kyçura në përkrahjen dhe mbështetjen e kësaj vatre edukative-mësimore dhe fëmijëve të Gucisë, duke shprehur bindjen se terrenet e reja sportive do të nxitojnë zhvillimin e sportit shkollor dhe do të kontribuojnë në zbulimin e talenteve të ri sportiv. 

Sh. Hasangjekaj


Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “844” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply