Kërkohet hartimi i Planit Lokal të Veprimit Rinor

0

Ulqin – Aktivistët rinorë nga Ulqini dorëzuan të hënën në sportelet e Komunës së Ulqinit Iniciativën për hartimin e Planit Lokal të Veprimit Rinor dhe planifikimin e “buxhetit për të rinjtë” për vitin 2019.
Ata u pritën në një takim të veçantë nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në deklaratën për shtyp të OJQ “Horizonti i Ri” thuhet se në këtë takim aktivistët rinorë i prezantuan kryetarit pikëpamjet e tyre rreth nevojës së hartimit të një politike cilësore rinore në komunën e Ulqinit dhe të shfaqjes së një përkushtimi më të madh ndaj të rinjve nga ana e pushtetit vendor. Në mënyrë ceremoniale ata i dorëzuan kryetarit edhe iniciativën në formë dokumenti, të nënshkruar nga 78 aktivistë rinorë, me të cilën kërkojnë hartimin sa më të shpejtë të Planit të Veprimit Rinor, në mënyrë që interesat e të rinjve të Ulqinit të realizohen me aktivitete konkrete.
“Miratimi i Strategjisë Rinore Lokale dhe Planit të ri Lokal do të rriste ndjeshëm nivelin e kënaqësisë së qytetarëve me cilësinë e punës së Vetëqeverisjes Lokale e në veçanti ndërgjegjësimin për mundësitë e përmirësimit të politikave rinore”, ishte një nga konstatimet e këtij takimi.
Iniciativa mbështetet në Ligjin për Rininë, i cili në nenin 24 përcakton domosdoshmërinë e vetëqeverisjes lokale që të hartojë planin e vet të veprimit rinor dhe të sigurojë buxhetin e nevojshëm për zbatimin e këtij plani.
Pas takimit me kryetarin e Komunës së Ulqinit, aktivistët rinorë vizituan Byronë Qytetare, e cila paraqet pikën e parë të kontaktit të qytetarëve me administratën e Komunës.
Shefi i këtij shërbimi, Arjan Lamoja, organizoi një prezantim të shkurtër për të rinjtë mbi funksionimin e këtij servisi të veçantë për qytetarët.
Iniciativa është rezultat i fuqizimit të kompetencave të liderëve rinorë në komunitet, që u realizua në kuadër të projektit “Të rinjtë marrin pjesë, të rinjtë marrin vendime”, i cili zbatohet nga OJQ “Horizonti i Ri” në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit, me mbështetjen e Drejtorisë për Rini në Ministrinë e Sportit të Malit të Zi. (Kohapress)

Share.

Leave A Reply