Kërkohet koordinim më i madh i partive shqiptare

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një vizitë zyrtare në Malin e Zi, ka takuar të mërkurën e kaluar përfaqësuesit politikë dhe institucionalë shqiptarë në Mal të Zi.
Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj ka thënë se me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve kanë zhvilluar një bisedë shumë të frytshme dhe që këtë do ta vazhdojnë edhe në një takim në Prishtinë.
Sipas deklaratës për shtyp të zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Haradinaj më tej ka thënë se shumica e këtyre partive janë të vetëdijshme për sfidat që kanë, por që në një dialog të vazhdueshëm do të bisedohet dhe në këtë mënyrë do të gjenden zgjidhje për të gjitha temat e tyre me interes.
“Në këtë dialog duhet të jemi të përfshirë të gjithë, Qeveria, por edhe Podgorica zyrtare”, ka theksuar Haradinaj, duke shtuar se Kosova ka një falënderim të madh për Qeverinë e Malit të Zi, për një votë pro për Kosovën në planin ndërkombëtar.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se është me rëndësi të madhe, që në Mal të Zi, është një zë i artikuluar i shqiptarëve të këtushëm, duke shtuar se nëse ka dallime në këtë artikulim të qëndrimeve, është më vështirë të arrihen qëllimet.
Kryeministri Haradinaj i ka porositur të gjitha partitë politike shqiptare në Mal të Zi që të ulen në një tavolinë për bisedime të ndërsjella për tema të ndryshme, pa marrë parasysh përkatësinë partiake që kanë, sepse shumë tema do të gjenin zgjidhje sikur të kishte pasur një koordinim më të madh.
Gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, ku ka marrë pjesë në Konferencën për ekonomi, në kuadër të Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila është mbajtur në Budvë, kryeministri i Republikës së Kosovës është takuar edhe me Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryeministrin Dushko Markoviq dhe me zyrtarë të vendeve të tjera pjesëmarrëse në këtë konferencë.  (Kohapress)

Share.

Leave A Reply