Kërkohet mbështetje më e madhe për shqiptarët në Malin e Zi

0

Një delegacion i përbërë nga përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Ministrisë së Arsimit zhvilluan të mërkurën e kaluar në Prishtinë takime zyrtare me përfaqësues të disa institucioneve të Republikës së Kosovës.
Delegacioni përbëhej nga kryetari i KKSH-së, Faik Nika, sekretari i KKSH-së, Lindon Gjelaj, drejtori i Drejtorisë për Arsimin e Pakicave në Ministrinë e Arsimit, Marash Dukaj, dhe anëtaret e KKSH-së, njëkohësisht të Komisionit për Arsim pranë këtij institucioni, Adriana Hoxha dhe Jeta Hasangjekaj.
Në deklaratën për shtyp të KKSH-së thuhet se delegacioni zhvilloi fillimisht takim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ku u prit nga ministri Shyqiri Bytyqi me bashkëpunëtorë. Në takim është diskutuar për çështjen e kuotave në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi, veçimi i tyre në kolonë të veçantë, rritja e numrit të kuotave, shqyrtimi i mundësisë për njohjen dhe ekuivalentimin e provimit të maturës shtetërore, nevojën e ndihmës me mjete mësimore, lektyra shkollore, harta gjeografike në gjuhën shqipe, nevojën e përshpejtimit të procedurave të njohjes së diplomave etj.
Në vazhdim të vizitës së tyre, delegacioni i shqiptarëve në Mal të Zi është takuar me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku dhe bashkëpunëtorët e tij, ku është biseduar për mundësinë e furnizimit me literaturë në gjuhën shqipe për bibliotekat e shkollave në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe po ashtu, furnizimi i bibliotekave të qyteteve të Ulqinit, Tuzit, Plavës dhe Gucisë. Në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin për hartimin e një bibliografie të veprave në gjuhën shqipe, të botuara në Mal të Zi.
Takim i një rëndësie të veçantë është zhvilluar me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku, në të cilin është diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit kulturor më shqiptarët në Mal të Zi me qëllim promovimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Takimin përmbyllës delegacioni e zhvilloi në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku janë pritur nga rektori prof. dr. Marjan Dema me bashkëpunëtorë.
Në takim është diskutuar për kuotat në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi, njohjen e provimit të maturës së kandidatëve nga Mali i Zi që i nënshtrohen provimit pranues, përshpejtimin e procedurave të njohjes së diplomave etj.
Nga KKSH kanë thënë se organizimi i këtyre takimeve vjen si rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer institucional me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Podgoricë. (Kohapress)

Share.

Leave A Reply