Kërkohet regjistrimi i një numri më të madh të kandidatëve shqiptarë nga Mali i Zi

0

Prishtinë – Një delegacion i Qeverisë së Malit të Zi, i përbërë nga drejtori gjeneral i Drejtorisë për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të popujve pakicë dhe bashkësive të tjera të pakicave nacionale, Leon Gjokaj, drejtori gjeneral i Drejtorisë për arsimimin e pjesëtarëve të popujve pakicë dhe bashkësive të tjera nacionale, Marash Dukaj, dhe Fikret Lulanoviq, këshilltar në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, kanë zhvilluar të mërkurën e kaluar një vizitë pune në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ata kanë biseduar lidhur me regjistrimin e kandidatëve nga Mali i Zi në universitetet e Kosovës me zëvendësministrin e MASHT-it, Agim Bërdyna, dhe me rektorin e UP “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave thuhet se Gjokaj i ka informuar bashkëbiseduesit me kërkesat e kandidatëve të interesuar nga Mali i Zi për regjistrimin në universitetet e Kosovës në afatin e dytë të regjistrimit, duke theksuar angazhimin e Ministrisë që në afatin e dytë, në përputhje me mundësitë ligjore dhe politikën e universiteteve, të lejohet regjistrimi i një numri sa më të madh të kandidatëve nga Mali i Zi.
Nga ana tjetër, zëvendësministri Bërdyna e ka njoftuar delegacionin e Qeverisë së Malit të Zi me modelin e arsimimit të pakicave në Kosovë dhe ka shprehur gatishmërinë e MASHT-it të Qeverisë së Kosovës për krijimin e kushteve dhe mundësisë për regjistrimin e kandidatëve të interesuar nga Mali i Zi.
Ndërkaq, në njoftimin për shtyp të Universitetit të Prishtinës thuhet se rektori Dema në takim me përfaqësuesit e Qeverisë së Malit të Zi “premtoi mbështetjen maksimale për kandidatët për studentë që vijnë nga këto vise shqipfolëse, të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre për të qenë pjesë e Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’”.
Ai premtoi që do të jetë i gatshëm të shtyjë tutje çfarëdo marrëveshje në të mirë të këtyre studentëve që do të jenë pjesë e UP-së dhe atyre që aktualisht janë të tillë.
Të dyja palët diskutuan për mënyrat e ndryshme se si mund të krijohen lehtësira për këta studentë, si dhe mënyra të tjera të bashkëpunimit në të mirë të studentëve, rrjedhimisht edhe të familjeve shqiptare nga këto vise.(Kohapress)

Share.

Leave A Reply