Konfirmohen rezultatet paraprake

0

Podgoricë – Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka shpallur të shtunën mbrëma rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, të mbajtura më 16 tetor.
Për këtë vendim kanë votuar 15 nga 28 anëtarë sa ka gjithsej Komisioni. Përpos anëtarëve të koalicionit qeverisës, për shpalljen e rezultateve përfundimtare kanë votuar edhe Vlado Dedoviq nga Qendra për Monitorim dhe Hulumtim, dhe Bafte Mavriq, përfaqësuese e Listës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve, ndërsa përfaqësuesit e opozitës janë larguar nga mbledhja e Komisionit në momentin e votimit.
Mbledhja është karakterizuar nga konfliktet ndërmjet anëtarëve të Komisionit dhe ndërprerja disa herë e saj.
Ndërprerja e mbledhjes është shkaktuar për shkak të dorëheqjes kontestuese të përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve. Në fillim të mbledhjes së Komisionit, përfaqësuesi i Koalicionit Shqiptar “Me një qëllim”, Ahmet Aloshi, ka dorëzuar në emër të Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve kërkesën për dorëheqjen e anëtarit dhe zëvendës anëtarit të kësaj liste, Bafte Mavriq dhe Klement Camaj, nga Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve. Por bartësi i listës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve, Nikollë Camaj, ka deklaruar se kërkesa në emër të kësaj liste nuk është autentike.
Në bazë të rezultateve përfundimtare, nga gjithsej 528 817 votues të regjistruar në regjistrin e votuesve, kanë votuar 388 220 votues apo 73.41 për qind.
Numrin më të madh të votave – 158 490 apo 41.41 për qind e ka fituar Partia Demokratike e Socialistëve, e cila do të ketë 36 deputetë nga 81 deputetë sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi. Pas saj renditet Fronti Demokratik me 77 784 vota apo 20.32 për qind, duke fituar 18 deputetë. Koalicioni i Madh Çelësi, i përbërë nga tri forca politike – Demos, Partia Popullore e Socialistëve dhe Lëvizja URA ka fituar 42 295 vota apo 11.05 për qind, dhe do të ketë nëntë deputetë. Pas këtij koalicioni renditen Demokratët e Aleksa Beçiqit, të cilët kanë fituar 38 327 vota apo 10.01 për qind duke siguruar tetë deputetë. Partia Socialdemokrate që ka fituar 20 011 vota apo 5.23, do të ketë katër deputetë. Nga dy deputetë në Kuvendin e Malit të Zi do të kenë Socialdemokratët e Malit të Zi dhe Partia Boshnjake. Socialdemokratët kanë fituar 12 472 vota apo 3.26 për qind, kurse Partia Boshnjake 12 039 apo 3.16 për qind. Nga një deputet në Kuvend do të kenë edhe koalicioni “Shqiptarët të vendosur”, i përbërë nga Forca e Re Demokratike, UDSH dhe Alternativa Shqiptare, i cili ka fituar 4 854 vota ose 1.27 për qind, si dhe Iniciativa Qytetare Kroate e cila ka fituar 1802 vota apo 0.47 për qind.
Nga 17 lista zgjedhore, sa kanë marrë pjesë në këto zgjedhje, tetë nuk e kanë kaluar pragun duke mos fituar asnjë deputet. Koalicioni Shqiptar “Me një qëllim”, në përbërje të të cilit ishin Partia Demokratike, Iniciativa Qytetare, LD në MZ dhe Lëvizja Qytetare “Perspektiva” ka fituar 3394 vota apo 0.89 për qind dhe ndonëse e ka kaluar pragun prej 0.7 për qind të parashikuar për listat e pakicave, nuk e ka siguruar deputetin. Lista tjetër shqiptare, Lidhja Demokratike e Shqiptarëve ka fituar 1542 vota apo 0.40 për qind, duke mos e kaluar pragun. Alternativa Mali i Zi ka fituar 878 vota ose 0.23 për qind, Mali i Zi Pozitiv 5 062 vota ose 1.32 për qind, Partia Serbe 1201 ose 0.31 për qind, Partia e Pensionistëve, Invalidëve dhe e së Drejtës Sociale në Mal të Zi 672 vota ose 0.18 për qind, Bashkësia Demokratike Boshnjake në Mal të Zi – 1140 ose 0.30 për qind dhe Partia e Radikalëve Serbë 693 vota.
Për shumicën e re qeverisëse është e nevojshme që të formohet koalicioni paszgjedhor. Partia Demokratike e Socialistëve, si forca më e madhe politike e dalë nga zgjedhjet parlamentare, ka vendosur që zëvendëskryetari i kësaj partie Dushko Markoviq të jetë mandator për formimin e qeverisë së re. Tashmë kjo parti ka filluar bisedimet me forcat e tjera politike, në mesin e të cilave edhe me Koalicionin “Shqiptarët të vendosur” për formimin e koalicionit qeverisës. Nga ana tjetër, edhe partitë opozitare të cilat së bashku kanë gjithsej 39 deputetë i kanë dorëzuar partive të pakicave ofertën për formimin e koalicionit paszgjedhor.

(Kohapress)

Share.

Leave A Reply