Konsolidim i financave dhe funksionim normal i buxhetit

0

Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ka thënë se kjo komunë po punon për kosolidimin e situatës së rëndë financiare dhe se dalëngadalë do të fillojë funksionimi normal i buxhetit të Komunës.
Në konferencën e djeshme për shtyp, ai ka thënë se janë ndërmarrë një sërë masash për këtë qëllim.
„Kemi ndaluar shpenzimin e pakontrolluar të mjeteve dhe dalëngadalë do të vijë deri te funksionimi normal i buxhetit. Kemi arritur që prej ditës së parë të debllokojmë xhiro-llogarinë dhe kemi filluar shlyerjen e shumë borxheve nga periudha e kaluar, si dhe kemi nisur disa investime në infrastrukturë dhe shërbime komunale“, ka deklaruar Cungu.
Sipas tij, 2.4 milionë euro janë përdorur për rifinancimin e tri kredive të mëparshme, janë paguar 3.5 paga për punëtorët e administratës së Komunës, të cilët kanë qenë shtatë muaj pa të ardhura, katër paga për punonjësit e ndërmarrjeve publike që financohen nga buxheti, ku situata ka qenë shumë më e vështirë.
Ai po ashtu ka thënë se Ndërmarrjes “Veprimtaritë Komunale” i janë paguar 76 mijë euro, “Vodacom”-it 100 mijë euro, Elektroekonomisë së Malit të Zi 80 mijë euro, bursat e studentëve për vitin akademik 2012/2013, obligimet për organizatat joqeveritare, 15 mijë euro për klubet sportive etj.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka bërë të ditur se nga mjetet kreditore do të paguhet edhe kompensimi për punonjësit të cilët janë tepricë teknologjike, e të cilët janë paraqitur në mënyrë vullnetare për t’u larguar nga puna.
Cungu ka theksuar se po punohet edhe në rregullimin e infrastrukturës para sezonit turistik.
„Ka filluar asfaltimi i 4 100 metra rrugë, në Gjerana në Plazhin e madh, Mëhallë të Re dhe në Anë të Malit –Sukubinë, Millë dhe Krythë. Punimet është duke i kryer firma ‘Put Bar’ e cila e ka fituar tenderin. Vlera e këtij projekti është 135 mijë euro“, ka thënë ai.
Lidhur me borxhin ndaj ndërmarrjes „Deponia sanitare“, Cungu ka thënë se edhe për këtë janë drejt gjetjes së „një zgjidhjeje dhe shlyerjes së borxhit me cesion me qëllim që të mos kemi probleme gjatë sezonit“.
Ai ka paralajmëruar se së shpejti do të shpallet tenderi për meremetimin e kalldrëmit në rrugën kryesore të qytetit që të çon në Ranë.
Cungu ka thënë se që nga koha kur ka ardhur në krye të Komunës së Ulqinit ka pasur takime të rëndësishme, ku ka veçuar konferencën për Kriporen e Ulqinit, ndërsa ka pohuar se në ditët në vijim pret që komunën e Ulqinit ta vizitojnë ministrat e qeverisë së Malit të Zi.

(Kohapress)

Share.

Leave A Reply