Lahuta, trashëgimi edhe e popujve tjerë

0

Ministria e Kulturës së Malit të Zi ka reaguar ndaj Serbisë duke e akuzuar për përpjekjen e përvetësimit të trashëgimisë kulturore të Malit të Zi, me rastin e hapjes së Qendrës Kulturore të Serbisë “Ivo Andriq” në Pekin, me ç’rast lahutari ishte i veshur me veshjen kombëtare malazeze.
“Fakti që këndimi nën shoqërimin e lahutës deri tani është regjistruar në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s, si pjesë e trashëgimisë kulturore të Serbisë, nënkupton që Serbia gjatë prezantimit të kësaj trashëgimie të trajtojë traditën e vet të lahutës dhe tërë atë që shkon me të, siç janë veshja, kuptimet simbolike dhe autenticiteti i teksteve të këngëve me lahutë”, thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Kulturës.
Duke respektuar faktin se këndimi i shoqëruar me lahutë i përket edhe trashëgimisë kulturore të Serbisë, gjë që është konfirmuar me regjistrimin në Listën e UNESCO-s, Ministria e Kulturës së Malit të Zi vlerëson se gjatë prezantimit dhe promovimit të kësaj trashëgime jomateriale nuk duhet t’i referohemi atyre përmbajtjeve dhe elementeve të saj të cilët u përkasin popujve të tjerë, gjegjësisht shteteve tjera.
“Duke u udhëhequr nga një qasje e tillë, Mali i Zi edhe në të ardhmen do të prezantojë këndimin me lahutë si pjesë e trashëgimisë së vet kulturore, gjë që do të bëhet sidomos në periudhën pasi që nominimi i Malit të Zi, Shqipërisë, Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës të pranohet nga UNESCO-ja”, thuhet ndër të tjera në deklaratën për shtyp.
Në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë jomateriale u bë regjistrimi i nominimit “Të kënduarit në shoqërimin e lahutës” prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s.        (Kohapress)

Share.

Leave A Reply