Në tender 192 hektarë tokë në Fraskanjel dhe Shas

0

Podgoricë – Komisioni për valorizimin e tokës bujqësore në pronësi shtetërore i Qeverisë së Malit të Zi ka publikuar thirrjen publike për pjesëmarrjen në tender për dhënien me qira të tokës bujqësore në fshatrat Fraskanjel dhe Shas të komunës së Ulqinit.
Konkretisht bëhet fjalë për sipërfaqen prej 1 920 974m2, respektivisht 192 hektarë, në këto dy zona kadastrale.
Në thirrjen e Komisionit ftohen prodhuesit bujqësorë, fizikë apo juridikë, të interesuar për qiramarrjen e tokës bujqësore.
Toka bujqësore jepet me qira për periudhën 30-vjeçare, për prodhim bujqësor të përzier.
Ndër kushtet kryesore që duhet të plotësojë qiramarrësi është programi investues, me një qarkullim jo më të vogël se dy milionë euro, numri i vendeve të reja të punës, vëllimi dhe struktura e prodhimit, plani i shfrytëzimit të tokës për periudhën 15+15 vite.
Po ashtu, në tender theksohet se njëri ndër kushtet për vlerësimin e ofertës do të jetë shuma e qiramarrjes, e cila nuk mund të jetë më e ulët se 250 euro për hektar.
Tenderi do të qëndrojë i hapur 45 ditë, gjegjësisht ofertat mund të dorëzohen deri më 25 dhjetor të këtij viti, kur do të bëhet edhe hapja e ofertave.
Më herët, Qeveria e Malit të Zi ka dhënë me qira edhe disa toka të tjera në pronësi të saj që gjenden në territorin e komunës së Ulqinit.  (Kohapress)

Share.

Leave A Reply