Nevoja për njehsimin ekonomik të rajonit

0

Durrës – Integrimi i ekonomisë rajonale dhe krijimi i një vizioni të përbashkët për strategjinë e integrimit evropian kanë qenë në qendër të samitit joformal, i cili është mbajtur të hënën në Durrës, nën organizimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me pjesëmarrjen e Komisionerit për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, dhe presidentit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti.
Përpos kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si mikpritës për të dytin vit me radhë i këtij takimi, në të kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, dhe ai i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërsa kanë munguar kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, dhe ai i Maqedonisë, Zoran Zaev, të cilët e kanë arsyetuar mungesën e tyre për shkaqe teknike. Ndërkaq kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, e ka anuluar pjesëmarrjen në takim për shkak të zisë kombëtare në nder të viktimave që humbën jetën kur një autobus u aksidentua në afërsi të Sofjes, me ç’rast 16 vetë kanë humbur jetën, kurse 28 të tjerë janë plagosur.
Në konferencën e përbashkët për shtyp në përfundim të takimit joformal me temë “Integrimi i ekonomisë rajonale”, Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn, ka theksuar se është i nevojshëm një njehsim ekonomik në rajon, për ekonominë, infrastrukturën rrugore etj.
Ai shtoi se Shqipëria ka bërë shumë progres sa i takon anëtarësimit, duke deklaruar se muajt e fundit ka pasur zhvillime pozitive në rajon.
“Miratimi përfundimtar mund të bëhet realitet në vitin që vjen sa i takon anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ndërsa çështja e vizave për Kosovën duhet të trajtohet sa më shpejt. Diskutuam për agjendën e integrimit ekonomik. Gjatë vitit të fundit, janë hapur 18 mijë vende pune në të gjithë rajonin. Duhet të hiqen barrierat e tregtisë në rajon. Rajoni duhet të jetë i vetëmbështetur, për energjinë, tarifat etj”, u shpreh Hahn.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se sot janë shumë më mirë gjërat se sa para katër-pesë vitesh, por duhet bërë më shumë për ngritjen e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës, andaj duhet shfrytëzuar potencialin e rajonit përmes lehtësimit të shkëmbimeve tregtare.
“Kemi pasur një diskutim të gjatë me Dushko Markoviqin lidhur me sfidën e punësimit dhe vështirësitë që hasim këtu, i has Kosova, Serbia, i gjithë rajoni, për të përfshirë në tregun e punës në sektorin privat më të rinjtë. U tha edhe gjatë takimit, diçka tha edhe presidenti i Bankës, nënvizoi edhe komisioneri se ka pasur rritje të qëndrueshme ekonomike në rajon, dhe rritje të punësimit. Për këtë arsye besojmë se përveç reformave në vendin tonë dhe progresit, duhet të shfrytëzojmë potencialin e madh të pashfrytëzuar të rajonit tonë përmes lehtësimit të shkëmbimeve tregtare”, ka thënë Rama.
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka thënë se përmbushja e vizioneve për BE-në është shumë e rëndësishme dhe se gjatë vitit të kaluar është bërë një përparim i madh në rajon.
“Në mënyrën më të mirë të avancojmë standardet dhe ekonominë tonë dhe në këtë mënyrë të jemi gati për Bashkimin Evropian dhe tregun e përbashkët evropian. Në këtë drejtim është e rëndësishme që të përmbushim obligimet tona që kemi marrë në Trieste në kuadër të Procesit të Berlinit dhe të shohim të arriturat dhe ato që nuk kemi arritur”, ka thënë ai.
Presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, ka bërë të ditur se BERZH-i do të organizojë takimin e ardhshëm në maj në Sarajevë për Ballkanin Perëndimor
“BERZH ka investuar 10 miliardë euro dhe ky është rajoni më i lartë për frymë për investimet e BERZH-it, por kjo nuk do të kishte ndodhur pa pasur investime nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por ka ndodhur pasi ka pasur ndryshime. Por, ndërkohë edhe sfida për të ndihmuar për perspektivën evropiane për të investuar çdo vit që kjo agjendë të përshpejtohet më tej”, ka thënë presidenti i BERZH-it.
Takimi joformal i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Durrës është zhvilluar nën hijen e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e marrëveshjes për njohjen reciproke dhe debatit për shkëmbimin e territoreve dhe korrigjimin e kufijve ndërmjet këtyre dy vendeve. (Kohapress)

Share.

Leave A Reply