Paralajmërim për sezon të mirë turistik

0

Ulqin – Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ka shprehur kënaqësi për prezantimin e ofertës turistike të Ulqinit në Panairin e Turizmit, Hotelerisë dhe Gastronomisë “Travel Fair” në Prishtinë duke e konsideruar këtë si paralajmërim për një sezon të mirë turistik.
Në konferencën për shtyp, të mbajtur të hënën, ai ka treguar përshtypjet e tij lidhur me Panairin e Prishtinës.
“Pa mëdyshje mund të konstatojmë se Ulqini këtë vit do të jetë vendi më i vizituar prej turistëve kosovarë”, ka thënë ai.
Cungu ka theksuar se delegacioni i Komunës së Ulqinit është respektuar nga nivelet më të larta shtetërore dhe lokale të Kosovës dhe se zyrtarët më të lartë të Kosovës u kanë bërë thirrje të hapur qytetarëve të Kosovës që të vizitojnë Ulqinin.
Sipas tij, edicioni i sivjetshëm i këtij panairi ka qenë i organizuar në nivel më të lartë se vitet e kaluara, kurse “stenda e Malit të Zi ka qenë absolutisht më e vizituara nga të gjitha stendat, si nga vizitorët e thjeshtë, ashtu edhe nga përfaqësuesit e agjencive, por edhe nga përfaqësuesit e mediave”.
Si një gjë pozitive, Cungu ka vlerësuar edhe faktin se për dallim prej viteve të mëparshme, ky panair sivjet është organizuar më herët.
Ai ka bërë të ditur se përpos që kanë pasur mundësi që të përshëndesin në hapjen solemne të Panairit, përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit kanë organizuar edhe një konferencë për media si dhe kanë marrë pjesë në disa emisione të televizioneve të Kosovës.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka falënderuar afaristët pjesëmarrës në Panairin e Prishtinës dhe u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve turistikë që t’i përfundojnë në kohë punimet për përgatitjen e sezonit turistik.
Ndërkaq, drejtoresha e Organizatës Turistike të Ulqinit, Zana Sarvan, ka thënë se Panairi në Prishtinë është panairi më i rëndësishëm sa i përket Komunës së Ulqinit.
“Ne kemi shfrytëzuar rastin që përveç ofertës për sezonin turistik të bëjmë edhe prezantimin e ofertës për manifestimin e majit ‘Të gjithë për turizëm’, ku shihet që tregu i Kosovës veç është i informuar shumë mirë për këtë manifestim dhe pritet që nga data 28 prill deri më 2 maj në qytetin e Ulqinit të jetë një numër i madh i mysafirëve nga Kosova”, ka thënë ajo.
Sarvan u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve në fushën e turizmit që të jenë të kujdesshëm në politikën e formimit të çmimeve.
“Mos të kemi bindjen se Ulqini është tregu i vetëm për kosovarët sepse oferta është e hapur. Në Panair ofertën përpos Shqipërisë e kanë paraqitur edhe Maqedonia, Turqia”, ka thënë ajo.
Edicioni i 13-të i Panairit të Turizmit, Hotelerisë dhe Gastronomisë “Travel Fair 2016” në Prishtinë është mbajtur më 21 dhe 22 prill. i.k.

Share.

Leave A Reply