Për prosperitet, marrëdhënie të mira dhe afirmim të vlerave evropiane

0

Podgoricë – Klubi i Podgoricës, i cili mblodhi së bashku ish-presidentët dhe ish-kryeministrat e vendeve të rajonit, u themelua të premten në Podgoricë.
Anëtarë të Klubit të Podgoricës janë ish-presidentët dhe ish-kryeministrat e Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës, Sllovenisë dhe Serbisë.
Siç thuhet në aktin themelues, Klubi i Podgoricës do t’i përkushtohet prosperitetit, marrëdhënieve të mira dhe afirmimit të vlerave evropiane në shtetet anëtare të këtij klubi si dhe rajonit të Evropës Juglindore. Përveç kësaj, theksi do të vihet në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave.
Ish-presidenti malazez, Filip Vujanoviq, ka thënë se Klubi i Podgoricës nuk do të merret me historinë, por me të ardhmen.
“U përcaktuam për këtë përbërje të shteteve, për shkak se BE-ja në dokumentin e saj strategjik të marrëdhënieve me vendet e Ballkanit Perëndimor ka shënuar këto gjashtë shtete si partnerë, ndërsa Kroacia dhe Sllovenia tashmë janë në BE dhe ne besojmë se së bashku në bashkëpunim me to duhet të kemi një urë bashkëpunimi me BE-në dhe se ata duhet të jenë një lloj motori i veprimit tonë. Është e sigurt se takimin e radhës do ta kemi në Zagreb apo në Lubjanë, sa më parë, dhe se kjo do të mbahet para zgjedhjeve për Komisionin e BE-së për t’i bërë thirrje BE-së për të pranuar kandidaturën e Shqipërisë dhe Maqedonisë për fillimin e negociatave”, ka thënë Vujanoviq. (Kohapress)

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “850” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply